Rregullat që synojnë kufizimin e ndotjes nga termocentralet me qymyr dhe gaz po hiqen, ka njoftuar kreu i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin.
Agjencia thotë se heqja e shumicës së rregullave të vendosura gjatë administratës së Bidenit, të cilat synonin përmirësimin e shëndetit publik dhe luftimin e ndryshimeve klimatike, do të kursejë 310 miliardë dollarë (223 miliardë paund) dhe do të çojë në uljen e çmimeve të energjisë.
“Realiteti është se Amerika prodhon energji më mirë dhe më pastër se kudo tjetër në botë, dhe termocentralet tona nuk duhet të jenë objektiv i padrejtë”, tha kreu i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Lee Zeldin.
Vendimi është kritikuar nga disa, të cilët argumentojnë se ai do të ndikojë në shëndetin publik dhe do të pengojë përparimin në zhvillimin e burimeve të energjisë së rinovueshme.
Karburantet fosile, përfshirë qymyrin dhe gazin natyror, janë ndër faktorët kryesorë të ndryshimeve klimatike globale, sipas Kombeve të Bashkuara.
EPA tha se rregullat për emetimet e termocentraleve, të vendosura gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, kishin “tejkaluan autoritetin e agjencisë”, duke kërkuar teknologji kontrolli që “nuk janë demonstruar në mënyrë të mjaftueshme”. Sipas EPA-së, kjo në praktikë i detyronte termocentralet të mbylleshin, në vend që t’u vendoseshin standarde që mund t’i përmbushnin.
EPA po kërkon gjithashtu të heqë të gjitha rregullat e tjera për gazrat serrë në sektorin e energjisë.
Ndryshimet u propozuan vitin e kaluar nga Zeldin, i cili tha se ato do të “sigurojnë furnizime të përballueshme dhe të besueshme me energji” dhe do të ulin kostot e transportit, ngrohjes, shërbimeve, bujqësisë dhe prodhimit, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare.
Rregulloret e epokës Biden parashikonin një ulje të madhe të emetimeve të karbonit nga termocentralet, automjetet dhe objektet industriale. Sipas parashikimeve, masat do të parandalonin rreth 4 500 vdekje të parakohshme në vit.
“Çdo dëm i mundshëm ndaj shëndetit publik është shumë i pasigurt, hipotetik, i largët dhe i ndërlikuar për t’iu atribuuar në mënyrë specifike sektorit amerikan të energjisë”, tha EPA të hënën, raporton BBC.

