Shqipëria hyn në 15 rrugët më të bukura për biçikleta në botë

by Nexhat

Shqipëria është përfshirë në renditjen e 15 itinerareve më të bukura të çiklizmit në botë, përmes Liqenit të Ohrit, i cili kalon në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Liqeni i Ohrit renditet në vendin e 14-të, me 76 pikë nga 100, sipas një studimi të platformës së udhëtimeve aventureske Explore.

Itinerari, rreth 90–96 kilometra i gjatë, lidh qytetet historike të Ohrit dhe Strugës, Manastirin e Shën Naumit dhe Pogradecin në anën shqiptare të liqenit. Për të përshkuar të gjithë qarkun, çiklistët duhet të kalojnë kufirin mes dy vendeve, raporton ekofin.al

banner

Turizmi me biçikletë po fiton gjithnjë e më shumë terren. Sipas të dhënave të cituara në studim, kërkimet në Google për termin “cycling holiday” janë rritur me 292%, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e itinerareve më të bukura në botë ndodhen në Evropë.

Për të hartuar renditjen, Explore përdori teknologjinë e gjurmimit të syrit për të matur reagimin e 200 pjesëmarrësve ndaj pamjeve nga 52 itinerare të njohura çiklizmi në vende të ndryshme të botës. Teknologjia mati sa shpejt secila pamje tërhiqte vëmendjen dhe për sa kohë e mbante atë. Rezultatet u kombinuan në një indeks “eye-catching”, me maksimum 100 pikë.

Në krye të renditjes është Bow Valley Parkway, mes Banff dhe Lake Louise në Kanada, me 97 pikë nga 100, e ndjekur nga Great Ocean Road në Australi me 94 pikë.

Evropa dominon megjithatë pjesën tjetër të klasifikimit. Tuscany Gravel Routes në Itali renditet e treta me 91 pikë, falë rrugëve mes vreshtave, kodrave, qiparisave dhe qyteteve historike të Toskanës.

Në vendin e katërt është Elbe Cycle Route në Gjermani, me 90 pikë. Itinerari ndjek lumin Elba për rreth 1,220 kilometra, nga Çekia drejt Detit të Veriut, duke kaluar nëpër qytete historike, zona rurale dhe Hamburg.

Amsterdam Cycle Route 10, në Holandë, renditet i gjashti me 86 pikë. Rruga rrethore përshkon kanalet, parqet dhe lagjet historike të Amsterdamit, përpara se të dalë në zonat më të qeta rurale përreth qytetit.

Italia përfaqësohet gjithashtu nga Stelvio Pass, një nga itineraret më të vështira për çiklistët, që renditet i teti me 82 pikë. Kalimi Stelvio është një nga qafat më të larta të Alpeve dhe njihet për ngjitjet e forta dhe kthesat e shumta malore.

Në Francë, Provence Lavender Route renditet e nënta me 81 pikë. Itinerari është veçanërisht tërheqës gjatë verës, kur fushat e livandës janë në lulëzim dhe rruga kalon mes fshatrave kodrinore dhe zonave të Luberonit e Plateau de Valensole.

Ndër rrugët më sfiduese është edhe North Coast 500 në Skoci, në vendin e 11-të me 78 pikë. Itinerari është më shumë se 800 kilometra i gjatë dhe mund t’u kërkojë edhe çiklistëve me përvojë deri në pesë ditë për ta përfunduar.

Po me 78 pikë, Route des Grandes Alpes në Francë renditet e 12-ta. Rruga shtrihet nga Liqeni i Gjenevës deri në Mesdhe, duke kaluar mes majave të Alpeve franceze, luginave të thella dhe qafave malore.

Në vendin e 14-të vjen qarku i Liqenit të Ohrit, Shqipëri–Maqedoni e Veriut, me 76 pikë, duke e futur edhe Shqipërinë në një renditje ku 8 nga 15 itineraret më të bukura ndodhen në Evropë.

Renditjen botërore e kryeson Kanadaja me Bow Valley Parkway, e ndjekur nga Great Ocean Road në Australi, Tuscany Gravel Routes në Itali dhe Elbe Cycle Route në Gjermani. Në Top 15 përfshihen gjithashtu Carretera Austral në Kili, Pacific Coast Highway dhe Road to Hana në SHBA, Slickrock Trail dhe Vancouver Seawall.

15 rrugët më të bukura në botë për çiklizëm

Renditja e secilit itinerar sipas një vlerësimi të “tërheqjes vizuale” nga 100 pikë:

  1. Bow Valley Parkway (Banff–Lake Louise), Kanada – 97/100
  2. Great Ocean Road, Australi – 94/100
  3. Tuscany Gravel Routes, Itali – 91/100
  4. Elbe Cycle Route, Gjermani – 90/100
  5. Carretera Austral, Kili – 86/100
  6. Amsterdam Cycle Route 10, Holandë – 86/100
  7. Pacific Coast Highway, SHBA – 82/100
  8. Stelvio Pass, Itali – 82/100
  9. Provence Lavender Route, Francë – 81/100
  10. Road to Hana, SHBA – 78/100
  11. NC500 (North Coast 500), Skoci (Mbretëria e Bashkuar) – 78/100
  12. Route des Grandes Alpes, Francë – 78/100
  13. Slickrock Trail, SHBA – 76/100
  14. Qarku i Liqenit të Ohrit, Maqedoni e Veriut/Shqipëri – 76/100
  15. Vancouver Seawall, Kanada – 75/100

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy