Demokratët në Senatin amerikan bllokuan të martën një projektligj që synonte krijimin e një kuadri të ri rregullator për kriptomonedhat, duke penguar përpjekjen e mbështetur nga industria për vendosjen e rregullave të reja mbi asetet digjitale.
Demokratët kërkuan më shumë kufizime ndaj investimeve të presidentit Donald Trump.
Votimi 49-50 për të vijuar me shqyrtimin e projektligjit përbënte një test të rëndësishëm në vitin elektoral për tregun e kriptomonedhave, me vlerë rreth 2.3 trilionë dollarë, ndërsa industria ka ushtruar presion të fortë për vendosjen e një grupi unik rregullash.
Debati në Senat u zhvillua në një kohë kur kompanitë e kriptomonedhave janë shndërruar në një forcë të rëndësishme politike dhe kur Trump ka grumbulluar pasuri të konsiderueshme nga kriptomonedhat gjatë kohës që është në detyrë.
Edhe pse disa demokratë janë miqësorë ndaj industrisë dhe mbështesin idenë e rregullimit të saj, ata kanë këmbëngulur që projektligji të përfshijë garanci të forta etike, për të parandaluar presidentin dhe familjen e tij që të pasurohen gjatë kohës që ai është në detyrë.
Kundërshtimi duket se është forcuar vetëm dy muaj para zgjedhjeve të pjesshme, pavarësisht donacioneve të konsiderueshme që grupet e industrisë së kriptomonedhave u kanë dhënë disa demokratëve gjatë viteve të fundit.
Në fund, asnjë demokrat nuk votoi pro projektligjit.
“Le të sigurohemi që të mos miratojmë një ligj për kriptomonedhat që do t’i lejojë Donald Trumpit të vazhdojë të fitojë miliarda dollarë nga kriptomonedhat, ndërsa familjet punëtore në të gjithë vendin përpiqen të përballojnë çmimet më të larta dhe një ekonomi që përkeqësohet çdo ditë”, tha senatorja demokrate e Massachusetts, Elizabeth Warren, anëtarja më e lartë e demokratëve në Komitetin Bankar të Senatit.
Disa demokratë që kishin mbështetur projektligjin, përveç çështjeve që lidhen me etikën, thanë se mbeten të hapur për negociata.
Senatori demokrat i Virxhinias, Mark Warner, tha se ende dëshiron rregullimin e industrisë së kriptomonedhave, por theksoi se “nuk mund të miratojmë një ligj historik që rregullon këtë industri, ndërkohë që lejojmë presidentin e Shteteve të Bashkuara të përfitojë personalisht prej saj”.
Ndërsa demokratët e bënë të qartë se do ta bllokonin projektligjin, Trump ra dakord për disa lëshime në fushën e etikës, përfshirë kufizime të reja ndaj zyrtarëve federalë të zgjedhur për emetimin e aseteve digjitale, si monedhat “meme” presidenciale që ai dhe bashkëshortja e tij, Melania, lançuan përpara se Trump të merrte detyrën për mandatin e dytë.
Të dielën, Trump pranoi edhe lëshime të tjera, përfshirë kompetenca shtesë për prokurorët e përgjithshëm të shteteve, të kërkuara nga demokratët për zbatimin e masave rregulluese ndaj industrisë së kriptomonedhave.
Megjithatë, këto lëshime nuk ishin të mjaftueshme për demokratët, të cilët të hënën në mbrëmje paraqitën një kundërpropozim për zgjerimin e dispozitave të etikës, por nuk arritën një marrëveshje përfundimtare.
Ndër kërkesat e tyre ishte zbatimi më i rreptë i rregullave, si dhe detyrimi që Trumpi, ose çdo president i ardhshëm, të heqë dorë nga asetet e tij nëse ato arrijnë një vlerë të caktuar.
“Në vend që ta shpenzonin kohën duke bërë lëshime për t’i ardhur në ndihmë presidentit Trump, republikanët duhet të kishin punuar më ngushtë me demokratët e Senatit për të hartuar një projektligj që mund të miratohej, duke përfshirë dispozita të forta etike”, tha senatori demokrat i Arizonës, Ruben Gallego, i cili ishte përfshirë në negociatat e minutës së fundit me senatorët republikanë
Republikanëve u nevojitej mbështetja e demokratëve për të siguruar 60 votat e nevojshme për vijimin e procedurës në Senatin me 53 republikanë dhe 47 demokratë.
Senatori republikan nga Karolina e Veriut, Thom Tillis, i cili kishte punuar me Gallegon për forcimin e dispozitave të etikës, tha para votimit se ishte i kënaqur me lëshimet e fundit të Trumpit.
“Jemi shumë pranë”, tha Tillis. “Është thjesht për të ardhur keq që të mos e shfrytëzojmë këtë mundësi.” /Panorama

