Meteorologia Lajda Porja paralajmëroi se ditëve të nxehta po u vjen fundi.
Sipas saj, 10-ditëshi i fundit i shtatorit do të sjellë temperatura tipike të vjeshtës, por edhe reshje në pjesën më të madhe të territorit.
Porja tha se sot pasdite priten rrebeshe kryesisht në gjysmën lindore të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin.
“Po do përjetojmë më në fund edhe ne tani disa ditë vjeshte. Duke filluar që nga nesër dhe deri në fund të shtatorit, do të përjetojmë temperaturat tipike të vjeshtës, por do të kemi dhe prezencë të reshjeve. Sot pasdite do të ketë rrebeshe, kryesisht në gjysmën lindore të Shqipërisë, përfshirë edhe kryeqytetin, ku do të kemi reshje herë pas here në formë rrebeshi, herë pas here shira më të imët. Parashikohet që dita e martë të ketë reshje shumë të pakta në orët e para të mëngjesit dhe më pas kemi një përmirësim të theksuar të motit, duke bërë që pjesa e dytë e së martës, e mërkura dhe dita e enjte të jenë kryesisht pa reshje të qëndrueshme. Por presim të premten një sistem mjaft të fuqishëm, i cili do të sjellë reshje në të gjithë territorin shqiptar. Parashikoj që herë pas here të jenë rrebeshe. Do të kemi herë pas here dhe reshje me intensitet të lartë, të shoqëruara me stuhi të forta ere. Është një sistem mjaft i mirëfilltë, i cili do të qëndrojë jo vetëm ditën e premte, por dhe përgjatë fundjavës”, u shpreh meteorologia Lajda Porja/euronews.al

