Pasivizimi i adresave po e zbraz Luginën, kërkohet mbështetja e SHBA-së

by Nexhat

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka pritur në selinë e këtij institucioni përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë.

Rexhepi ka bërë të ditur se në takim kanë marrë pjesë diplomati amerikan dhe sekretari i parë, Pepijn Helgers, zyrtarja e Seksionit Politik, Ksenija Lazović, si dhe zyrtari politik Joseph “Joe” Gayeski.

banner

Sipas Rexhepit, një nga temat kryesore të diskutimit ka qenë pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai e ka cilësuar këtë proces si një procedurë përmes së cilës, sipas tij, po bëhet “spastrimi etnik i shqiptarëve në Luginë me mjete administrative”.

Rexhepi ka kritikuar edhe Qeverinë e Serbisë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, duke thënë se kjo ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të Luginës dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Moszbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Qeverisë serbe, e ka lënë Luginën si rajonin më të pazhvilluar, ndërsa shqiptarët të nënpërfaqësuar, të diskriminuar dhe me jetesë të vështirësuar”, ka shkruar Rexhepi.

Ai ka thënë se gjatë takimit është theksuar se gjendja e shqiptarëve në Luginë është përkeqësuar krahasuar me 15 vjet më parë.

Sipas tij, si pasojë e asaj që e quan përjashtim institucional dhe mosintegrim të shqiptarëve në institucionet e Serbisë, numri i policëve, gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë është më i ulët se para 15 vitesh.

Rexhepi ka pretenduar gjithashtu se në disa institucione republikane nuk ka fare përfaqësues shqiptarë.

Në fund të postimit, ai ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara mbeten “aleati kryesor i shqiptarëve”, ndërsa Ambasadën Amerikane në Beograd e ka cilësuar si ambasadë mike të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy