Kurti takon presidentin e Bankës Botërore, flasin për ekonomi dhe treg të punës

by Nexhat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është takuar me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet ekonomike në Kosovë, tregun e punës dhe orientimin e remitencave drejt sektorëve produktivë.

Kurti ka thënë se me presidentin e Bankës Botërore ka diskutuar për progresin e Kosovës në vitet e fundit, heqjen nga lista e shteteve të brishta dhe në konflikt, tranzicionin nga marrës në donator të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe rritjen ekonomike.

banner

“Me Presidentin e BB-së diskutuam për progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës në vitet e fundit, heqjen nga lista e shteteve të brishta e në konflikt, tranzicionin nga marrës në donator të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe rritjen e vazhdueshme ekonomike”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se në mandatin qeverisës në vijim fokusi do të jetë në rritjen më cilësore të vendeve të punës dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në tregun e punës.

“Theksova se për mandatin qeverisës në vijim, pas uljes së papunësisë nga 26% në 10%, fokus do të jetë rritja më cilësore e vendeve të punës e që paguhen më shumë, por edhe rritja e pjesëmarrjes së rinisë dhe grave në tregun e punës”, ka shkruar ai.

Kurti ka përmendur edhe nevojën për orientimin e remitencave dhe kursimeve të mërgatës drejt sektorëve produktivë të ekonomisë.

“Gjithashtu, përmenda nevojën për të orientuar remitencat dhe kursimet e mërgatës sonë drejt sektorëve produktivë në ekonomi”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, ka prezantuar planin për mbështetjen e shteteve anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës.

“Në anën tjetër, Presidenti Banga prezantoi planin e tij për t’i mbështetur shtetet anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës përmes fushave si ndërtimtaria, bujqësia produktive, shëndetësia, turizmi dhe prodhimtaria”, ka shkruar Kurti. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy