DW: Jo revoltë kundër Merzit, por shumë pakënaqësi në prapaskenë

by Nexhat

Pas dështimit zgjedhor të fundjavës, kancelari Merz kishte përpara edhe një takim të vështirë: mbledhjen e grupit parlamentar të Unionit në Bundestag. Ai mori kryesisht mbështetje e inkurajim, por kërkohen rezultate.

Kancelari Friedrich Merz do duhej të ishte në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara ku zhvilloheshin punimet e Asamblesë së Përgjithshme. Por ai e anuloi udhëtimin në SHBA për t’u marrë me pasojat e rezultateve të dobëta zgjedhore që partia e tij, CDU pësoi fundjavën e kaluar në Mecklenburg-Vorpommern dhe Berlin. Të martën pasdite (22.09) u mblodhën deputetët e CDU-së dhe CSU-së për të debatuar pas rezultatit historikisht të dobët në zgjedhjet e Meklenburg-Pomeranisë dhe Berlin, në një atmosferë të rëndë, siç u tha.

banner

Në media madje flitej këto ditë për “muzgun politik” të kancelarit. Disa përshpërisnin edhe për një revoltë të mundshme brenda grupit parlamentar. Por revoltë nuk pati. Nga qarqet e CDU thuhet, se atmosfera e takimit nuk ishte e lehtë pas humbjes së rëndë zgjedhore të CDU. Deputetët thanë se Merz edhe njëherë në takimin e grupit parlamentar të Unionit kërkoi të vazhdohej kursi i reformave.Daniela Ludwig, ish-e ngarkuar e qeverisë federale për çështjet e drogës nga radhët e CSU-së, ngriti një pyetje retorike: “Po çfarë do të përmirësonte një revolucion?”, duke shtuar, se “revolucionet deri më sot nuk kanë ndryshuar kurrë asgjë për mirë”, sipas mediave.

“Kancelari mbetet”

Kurse deputeti i CDU-së nga Saksonia e Poshtme, , i pyetur për kancelarin, u përgjigj menjëherë: “Kancelari mbetet.” Sipas tij, për këtë nuk ka asnjë dyshim. “Por kancelari me siguri e ka kuptuar gjithashtu se duhet të ndryshojmë disa gjëra. Dhe pikërisht për këtë ai tha se duhet të shohim drejt së ardhmes.” Kreu i grupit parlamentar, Thorsten Frei është i mendimit të shikohet tanimë drejt së ardhmes. Para mbledhjes me kancelarin, ai analizoi situatën: “Zgjedhjet e fundjavës nuk ishin thjesht zgjedhje proteste.” Frei shtoi, se “përtej kësaj, ato treguan edhe se ka boshllëqe në trajtimin e disa çështjeve tematike. Me këtë duhet të merremi, duhet ta pranojmë dhe prej saj duhet të nxjerrim mësimet e duhura.”

Serap Güler, deputete e CDU-së nga Renani Veriore-Vestfali, e përshkruan kështu rrugën që kancelari synon të ndjekë: “Mendoj se, nga njëra anë, bëhet fjalë për çështjen e drejtësisë sociale. Kancelari federal e bëri të qartë edhe pas mbledhjeve të forumeve drejtuese se në vendin tonë ka shumë njerëz që ndihen të lënë pas dore, që ndihen të përjashtuar nga proceset. Këtyre njerëzve duhet t’u drejtohemi më mirë dhe t’i përfshijmë sërish edhe politikisht.” Nga ana tjetër, sipas saj, u bë fjalë edhe për reformat: “Ne po zbatojmë reforma në mënyrë që vendi të mbetet i aftë për të përballuar të ardhmen edhe pas 30 vjetësh dhe që të ruhet drejtësia mes brezave.”

Theksohet uniteti

Por si mund të vazhdohet kursi i reformave dhe njëkohësisht të vihet më shumë theksi te drejtësia sociale? Të harmonizohen interesat e Unionit dhe të SPD-së? Zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Mathias Middelberg, beson se kjo është e mundur. Megjithatë, sipas tij, të gjithë janë të vetëdijshëm se kanë vetëm një mundësi: të veprojnë të bashkuar si grup parlamentar i Unionit dhe, në fund, edhe si qeveri. “Nëse tani lejojmë që të përçahemi, atëherë nuk do të dështojë vetëm kjo qeveri, por në fund do të dështojë edhe ky vend.” Takimi i Unionit përfundoi pa pasoja të rënda për kancelarin. Merz mori mbështetjen e deputetëve të tij dhe kaloi një provë politike që, paraprakisht, dukej shumë më e vështirë./DW/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy