Cristiano Ronaldo ka folur hapur për të ardhmen e tij, kritikat që vazhdon të marrë dhe objektivat që dëshiron t’i realizojë para përfundimit të karrierës.
Ylli i Al-Nassr, tashmë 41-vjeçar, ka pranuar se nuk e di saktësisht se kur do të pensionohet, por ka dy objektiva të mëdha: të arrijë shifrën e 1,000 golave në karrierë dhe të fitojë edhe një herë UEFA Nations League me Portugalinë.
Duke folur në kuadër të Portuguese Football Summit, të organizuar në qendrën e Federatës Portugeze të Futbollit në Oeiras, Ronaldo foli edhe për kapitullin e ri të kombëtares nën drejtimin e Jorge Jesusit.
“Objektivi im është i dyfishtë: të shënoj golin tim të 1,000-të dhe të fitoj UEFA Nations League”, deklaroi Ronaldo.
Ai vlerësoi gjithashtu punën e ish-trajnerit Roberto Martinez, pavarësisht kritikave që kishte marrë gjatë periudhës së tij në krye të Portugalisë.
“Është një epokë e re. Duhet ta përgëzojmë Roberto Martinezin për punën që bëri, sidomos duke pasur parasysh se vinte nga një shtet tjetër dhe mori shumë kritika. Tani kemi Jorge Jesusin, të cilin të gjithë e njohim, dhe jam i bindur se gjërat do të shkojnë mirë”, tha portugezi.
Ronaldo për kritikët: Disa duan të më “vrasin”
Ronaldo foli me ironi edhe për kritikat e vazhdueshme ndaj tij, duke përdorur një metaforë të fortë për të përshkruar sulmet mediatike.
“Nuk mund të jem plotësisht i sinqertë, duhet të jem diplomatik. Gjithmonë kam thënë se jam pritur mirë dhe ky vit ka qenë një nga ato periudha kur e kam ndier më shumë këtë vlerësim. Ka njerëz që duan të më ‘vrasin’, por vetëm me pushkë mund ta bëjnë”, u shpreh Ronaldo.
Ai vazhdoi duke thënë se pas kaq shumë vitesh në futboll është mësuar me kritikat.
“Kam shumë vite që luaj futboll dhe pothuajse gjithmonë jam pritur mirë. Ka disa televizione që përpiqen të më sulmojnë dhe të dëmtojnë imazhin tim, por nuk kanë asnjë mundësi, përveç nëse përdorin pushkë. Edhe atëherë do t’i shmangesha plumbit. Por jam mësuar me këtë”, shtoi ai me humor.
Ronaldo përmendi edhe atmosferën në stadiumet e rivalëve në Portugali.
“Në ‘Dragao’ e kuptoj për shkak të rivalitetit. Në ‘Luz’ është ndryshe, sepse duket sikur nuk mund të luajmë atje, të paktën kështu lexoj. Por fakti që gjashtë njerëz nuk më pëlqejnë nuk është diçka që më shqetëson”, tha ai.
Kur do të pensionohet Ronaldo?
I pyetur se kur planifikon t’i japë fund karrierës, pesë herë fituesi i Topit të Artë pranoi se ende nuk e ka një përgjigje të prerë.
“Nuk e di. Do të doja ta dija përgjigjen, por nuk e di”, deklaroi Ronaldo.
“Që nga fillimi i të tridhjetave të mia kam mësuar të jetoj momentin. Nuk e di, por ka shumë mundësi që ky të jetë viti im i fundit. Kur të vijë ndeshja ime e fundit, do t’jua them”, shtoi ai.
Goli i 1,000-të nuk është obsesion
Pavarësisht dëshirës për ta arritur shifrën historike të 1,000 golave, Ronaldo këmbëngul se ky objektiv nuk është kthyer në obsesion.
“E di se do ta arrij, por nuk është një obsesion. Gjëja kryesore është ta shijoj futbollin, por natyrisht që kam shumë dëshirë ta arrij këtë rekord”, tha ai.
Ronaldo i bindur për Jorge Jesusin
Kapiteni i Portugalisë e cilësoi emërimin e Jorge Jesusit si një zgjedhje të shkëlqyer për kombëtaren.
“Ishte një zgjedhje perfekte. Ai sjell një atmosferë tjetër, ide të reja dhe një mënyrë tjetër komunikimi. Shumë prej lojtarëve kanë punuar më parë me të dhe kjo e lehtëson situatën. Besoj se ishte zgjedhja ideale dhe se do të qëndrojë këtu për shumë vite”, deklaroi Ronaldo.
Në fund, portugezi konfirmoi se kishte menduar edhe mundësinë e tërheqjes nga kombëtarja pas Kupës së Botës, por vendosi të vazhdonte.
“Po, gjithmonë mendoj për vendimet e mia. Mendoj për gjithçka. Fakti që më shihni këtu do të thotë se kam vendosur të vazhdoj”, tha ai.
“Kam folur me presidentin dhe trajnerin dhe ata llogarisin tek unë. Besoj se mund ta ndihmoj ende kombëtaren, jo vetëm duke shënuar gola. Kjo është një gjeneratë e re, por gjëja më e rëndësishme për mua është të vazhdoj të jem në fushë dhe të shënoj gola”, përfundoi Cristiano Ronaldo.

