Kaos në Kuvendin e Malit të Zi, dështon seanca për shkarkimin e Mandiqit

by Nexhat

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Malit të Zi, në të cilën sot ishte paraparë të diskutohej dhe të votohej për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, nuk u mbajt pas zhvillimeve të tensionuara në sallën plenare.

Seanca ishte caktuar për mesditë, por problemet nisën para fillimit zyrtar të saj. Gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve nuk iu mundësua hyrja në sallën plenare, ndërsa deputetët e opozitës kërkuan transmetim të drejtpërdrejtë, në mënyrë që publiku të mund të shihte se kush ishte i pranishëm dhe nëse ekzistonte kuorumi për zhvillimin e seancës.

banner

Gjatë përplasjeve në sallë pati një konflikt verbal mes Mandiqit dhe deputetëve të opozitës. Pas debatit, kryetari i Kuvendit u largua nga salla para se seanca të fillonte zyrtarisht. Nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) u dëgjuan thirrje: “Iku!”

Para largimit të Mandiqit, një deputete e opozitës i tha: “Çetnikë, gjithmonë keni ikur, gjithmonë do të ikni”, raportojnë mediat malazeze.

Gazetarët i ndoqën zhvillimet nga galeria e medias, jashtë sallës plenare.

Deputetët e DPS-së kërkuan që të mundësohej transmetimi i drejtpërdrejtë i seancës dhe qasja e përfaqësuesve të mediave.

Ata thanë se publiku ka të drejtë të dijë se cilët deputetë ndodhen në sallë dhe nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për zhvillimin e seancës.

Deputeti i DPS-së, Nikola Miloviq, tha se qytetarët duhet të kenë mundësi të shohin se kush është i pranishëm dhe kush, me mungesën e tij, po pengon sigurimin e kuorumit.

“Publiku malazez duhet ta dijë se kush është sot në sallë, por edhe kush nuk e jep kuorumin për mbajtjen e kësaj seance”, tha Miloviq.

Deputeti i DPS-së, Andrija Nikoliq, e cilësoi largimin nga salla si “dhunë”, ndërsa kryetari i kësaj partie, Danijell Zhivkoviq, deklaroi se DPS-ja nuk do të bashkëpunojë me Qeverinë dhe shumicën parlamentare përderisa nuk mundësohet mbajtja e seancës në të cilën deputetët do të mund të votojnë për shkarkimin e Mandiqit.

Sipas mediave malazeze, në seancë nuk morën pjesë deputetë të Lëvizjes Evropa Tani, Demokracisë së Re Serbe, Demokratëve të Malit të Zi, Partisë Demokratike Popullore, Partisë Socialiste Popullore, Malit të Zi të Bashkuar dhe Forumit Shqiptar.

Mungesa e tyre bëri që të mos kishte kushte për zhvillimin e seancës.

Iniciativën për shkarkimin e Mandiqit e kanë nënshkruar më herët 35 deputetë nga disa parti opozitare dhe grupe të tjera parlamentare.

Shkak për nisjen e procedurës ishte bërë dërgimi publik i ngushëllimeve nga Mandiqi familjes së Ratko Mlladiqit, i cili ishte dënuar përfundimisht për gjenocid dhe krime lufte dhe vdiq në burgun ku po vuante dënimin e përjetshëm.

Pas dështimit të seancës, DPS-ja ka paralajmëruar konferencë për media, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të mblidhet Kuvendi për të shqyrtuar dhe votuar iniciativën për shkarkimin e Mandiqit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy