Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se hapin e parë që duhet ta bëjë Kosova ta dërgojë në Komisionin e Venecias aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një deklaratë, ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj ka thënë se Komisioni i Venecias duhet ta shqyrtojë aktgjykimin nga fillimi deri në fund, pasi, sipas tij, gjyqtarët e Hagës ende nuk e kanë të qartë nëse Kosova është shtet i pavarur.
“Unë mendoj që gjëja e parë që duhet të bëjë Kosova është ta dërgojë aktgjykimin për ish-krerët e UÇK-së, të marrë më 16 shtator, në Komisionin e Venecias. Meqë gjyqtarët e këtij rasti nuk po e dinë ende a jemi të pavarur si shtet apo jo, mendoj që Komisioni i Venecias duhet ta shohë aktgjykimin nga fillimi deri në fund. Në Komisionin e Venecias Kosova është anëtarësuar kur unë kam qenë ministër i Jashtëm. Ne jemi shtet anëtar aty, pa asteriks, pa fusnotë, jemi shtet i barabartë dhe, pas këtij hapi, mendoj që Kosova duhet me urgjencë ta nisë anëtarësimin për Këshill të Evropës dhe të trajtohet Gjykata Speciale”, ka thënë Hoxhaj në ATV.

