Bashkimi i ka dhënë fund dominimit të Trepçës në basketbollin kosovar.
Skuadra prizrenase të martën mbrëma triumfoi në Superkupën e Kosovës, pasi në “Mizahir Isma” në Rahovec e mposhti Trepçën me rezultat 103:93.
Fituesi u përcaktua vetëm pas pesë minutave shtesë, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 87:87.
Fundi i kohës së rregullt ishte dramatik. Nëntë sekonda para sirenës, kur rezultati ishte 84:84, Mikaile Tmushiq nuk arriti të shënonte për tri pikë. Në aksionin pasues, Shanon Shorter realizoi thuajse nga gjysma e fushës për 87:84 në favor të Bashkimit.
Prizrenasit nisën festën, por Trepça kishte ende 1.6 sekonda në dispozicion për aksionin e fundit.
Drilon Hajrizi pasoi te Dardan Kapiti, i cili gjuajti nga gjysma e fushës dhe shënoi për 87:87, duke e dërguar ndeshjen në vazhdim.
Tensioni nisi edhe para fillimit të pesë minutave shtesë, ndërsa trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, u përjashtua pas reagimit ndaj arbitrave.
Në vazhdim, Bashkimi ishte dukshëm më i mirë dhe siguroi Superkupën e parë në histori. Pesë minutat shtesë përfunduan 16:6 në favor të skuadrës prizrenase.
Trepça kishte dominuar basketbollin kosovar në vitet e fundit. Mitrovicasit kishin fituar tri herë rresht titullin e kampionit, pesë Kupa rresht dhe dy Superkupa rresht deri para kësaj ndeshjeje.
Për Bashkimin, ky është trofeu i parë që nga viti 2018, kur skuadra u shpall kampione.
Ndeshja për Superkupë ishte ndërprerë për gati një orë në fund të çerekut të dytë. Arbitrat e ndërprenë takimin pas hedhjes së mjeteve plasëse në parket, ndërsa ndeshja vazhdoi vetëm pasi tifozët u larguan nga tribunat. Në sallë mbetën qindra shikues, të vendosur në ulëset në parket dhe pas koshave.
Te Bashkimi, më i dalluari ishte Shanon Shorter me 23 pikë, 13 kërcime dhe katër asistime. Adrio Bailey kontribuoi me 23 pikë e 11 kërcime, ndërsa Lejson Zeqiri pati një paraqitje të madhe me 18 pikë dhe 13 kërcime.
Te Trepça, më i miri ishte Jacory Payne me 22 pikë dhe tetë asistime, ndërsa Matt Mobbley realizoi 21 pikë.
Tash Bashkimi dhe Trepça do të vazhdojnë garën për trofetë e tjerë të sezonit, ndërsa të dyja skuadrat do të paraqiten edhe në garat evropiane.

