Gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë u bë temë dhe çështje në Kosovë në ditët e fundit.
Selektori i Austrisë, Ralf Rangnick e konsideroi këtë fushë si katastrofale dhe se diçka të tillë nuk kishte parë ndonjëherë në ndeshjet ndërkombëtare.

Atë e arsyetoi në njëfarë mënyre edhe selektori i Kosovës, Franco Foda, i cili tha gjendja e fushës nuk ishte prej më të mirave.
Ndërkohë, Federata e Futbollit iu përgjigj selektorit të austriakëve me një postim ku e shfaqte fushën nga larg dhe nga lart, e cila dukej në gjendje mjaft të mirë.
Por, gjendja faktike është ndryshe. Shkaku i mbingarkesës si rezultat i ndeshjeve të shumta të zhvilluara në kohët e fundit në këtë fushë, gjendja e saj është rënduar.
Ndonëse ishin investuar 1,3 milionë euro para dy vjetësh nga Ministria e Sportit, vazhdimisht ka pasur ankesa për gjendjen e fushës nga ekipet apo kombëtaret e huaja që kanë ardhur për të luajtur aty.

Tashmë dihet se mirëmbajtja është më e vështirë dhe më e rëndësishme se vetë ndërtimi i diçkaje.
Prandaj, duhet kërkuar përgjegjësi nga ata që e mirëmbajnë fushën dhe që janë angazhuar nga FFK-ja, e cila pikërisht për shkak të pakënaqësive, e kishte ndërruar kompaninë e mirëmbajtjes pak vite më parë.
Shtëpia e futbollit kosovar duhet ta gjejë një rrugë dhe alternativë për t’i rralluar aktivitetet në këtë fushë, ku luajnë FC Prishtina dhe grupmoshat e ndryshme të Kombëtares së Kosovës, në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave.

