Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një nga dëshirat që shpreson të realizojë pas largimit nga detyra, duke pranuar se ëndërron t’i japë fund pranisë së vazhdueshme në rrjetet sociale.
Gjatë episodit të ri të podcast-it “Flasim”, në një bisedë me të ftuarit, Rama shprehu hapur zilinë ndaj njërit prej tyre, i cili tregoi se qëndron larg rrjeteve sociale. Kreu i qeverisë e shfrytëzoi këtë moment për të ndarë një nga planet personale që lidhen me jetën e tij pas politikës.
“Të kam shumë zili. Një nga gjërat që unë ëndërroj për ditën kur do të largohem nga kjo detyrë që më detyron të jem në të gjitha pasqyrat, është stop rrjeteve sociale”, tha Rama.
Deklarata e kryeministrit vë në dukje kontrastin mes ekspozimit të vazhdueshëm publik që kërkon detyra e tij dhe dëshirës për t’u shkëputur nga kjo vëmendje në të ardhmen. Për Ramën, largimi nga detyra duket se përfytyrohet edhe si mundësia për të lënë pas një realitet ku prania në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale është thuajse e pashmangshme.
Në të njëjtin episod të “Flasim”, Rama foli edhe për ndryshimet që, sipas tij, kanë pësuar Malësia e Madhe dhe Përmeti gjatë dekadës së fundit. Ai i solli këto dy zona si shembuj të transformimit të Shqipërisë, duke kujtuar se një dekadë më parë perceptoheshin si vende të largëta, me pak arsye për t’u vizituar.

