Ishte planifikuar të dëgjohej Dejona Mihali, mbrojtja e Nagip Krasniqit kërkon përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues

by Nexhat

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, në gjykimin ndaj Nagip Krasniqit dhe Isuf Zejnës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mbrojtja e Krasniqit kërkoi përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri.

Kërkesa ishte bërë me arsyen se, sipas tyre, në aktgjykimin ndaj Ymer Dragushës, Beqiri ka qenë i anshëm duke shkelur parimin e paanshmërisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

“Sipas këndvështrimit tonë, në aktgjykimin në fjalë janë bërë konstatime faktike dhe juridike të cilat vënë në dyshim paanshmërinë objektive të kryerarit të trupit gjykues dhe si të tilla krijojnë rrethana të papërshtatshme që për bindjen tonë kushtëzojnë përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues”, tha avokati i Krasniqit, Florian Petani.

Petani shtoi se pasi kanë pranuar aktgjykimin e të pandehurit Ymer Dragusha, sot në mëngjes kishte dërguar në shkrimore të Gjykatës Themelore kërkesën për përjashtim të kryetarit të trupit gjykues.

Kërkesa, sipas Petanit, nuk ka pasur mundësi të dërgohet më herët pasi që nuk kanë qenë të pajisur me aktgjykimin e Dragushës më herët.

Avokati Petani tha se kishte kërkuar nga gjykata në muajin gusht që të pranojnë një kopje të aktjgykimit në fjalë, por janë njoftuar se çështja në atë kohë ka qenë në Gjykatë të Apelit.

“Me aktgjykimin e Ymer Dragushës edhe pse kemi bërë kërkesë nuk jemi pajisur me të deri në publikim të tij në faqen zyrtare të gjykatës, dhe pse nuk kemi parashtruar kërkesë më herët është sepse nuk e kemi pasur këtë aktgjykim më herët. Në bindjen tonë thëniet në këtë aktgjykim ndikojnë në epilogun e çështjes ndaj Nagip Krasniqit”, tha Petani.

Kurse, prokurori special, Ilir Morina, deklaroi se nuk ka pranuar kopje të kësaj kërkese dhe pasi nuk e di bazën ligjore të saj nuk mund të deklarohet saktësisht.

Mirëpo, Morina tha se në momentin që lënda është veçuar, automatikisht është lëndë tjetër dhe nuk ka pasur nevojë gjykata ta dërgojë aktgjykimin pasi mbrojtja e Nagip Krasniqit nuk është më palë në procedurë.

Po ashtu, Morina tha se aktgjykimi në fjalë, më shumë reflekton në lidhje me marrëveshjen e Dragushës me Prokurorinë, andaj i konsideron të pabaza pretendimet e mbrojtjes.

“Ai aktgjykim më shumë reflekton në marrëveshje të Prokurorisë me dëshmitarin bashkëpunues se qëndrimin e gjykatës. Nuk mund të deklarohem më shumë pasi nuk e kemi kopjen dhe nuk e dijmë bazën ligjore”, tha prokurori Morina.

Pastaj, kryetari i trupit gjykues Beqiri, me aktvendim ndërpreu seancën gjyqësore dhe konstatoi se shkresat e lëndës do të dërgohen te kryetari i trupit gjykues për të vendosur në lidhje me këtë kërkesë.

Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej Dejona Mihali në cilësinë e dëshmitares, mirëpo për shkak të rrethanave që u krijuan, dëshmia e saj nuk u dëgjua sot.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy