Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 15 tetor. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur të hënën.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se në seancën e radhës do të shqyrtohen disa projektligje, përfshirë atë për anëtarësimin e Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
“Do të bëhet përzgjedhja e dy anëtarëve të Bordit Joekzekutiv të BQK-së. Po ashtu, edhe formimi i komisioneve për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Po ashtu, u pajtuam që në këtë seancë të përfshihet edhe shqyrtimi në lexim të dytë i ligjit për parandalimin dhe luftimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit”, potencoi Nagavci.
Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se në mbledhjen e Kryesisë është diskutuar edhe agjenda e diplomacisë parlamentare.
Ajo theksoi se për PDK-në dhe Kuvendin e Kosovës, në këtë drejtim kanë rëndësi të veçantë procesi i Apelit në Hagë dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
“Një ndër pikat që diskutuam sot ishte edhe agjenda e diplomacisë parlamentare. Për PDK-në dhe krejt Kuvendin e Kosovës, siç jemi shprehur me deklaratën që kemi miratuar, dy gjëra janë të rëndësisë së veçantë: procesi i Apelit në Hagë dhe Këshilli i Evropës”, tha ajo.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ngriti shqetësimin për numrin e madh të projektligjeve që duhet të miratohen gjatë këtij viti.
Sipas Tahirit, agjenda legjislative përfshin mbi 60 ligje, çka, sipas tij, kërkon kujdes në mënyrën se si trajtohen dhe miratohen ato.
Ai theksoi se Kuvendi ka përgjegjësi edhe për zotimin shtetëror lidhur me mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtuar se kjo çështje duhet të trajtohet me kujdes dhe jo me nxitim.
“Problemi thelbësor që ne si grup e kemi adresuar është që kemi një agjendë legjislative që është grumbull i ligjeve dhe këtë vit duhet diku mbi 60 ligje të kalojnë. Qysh ka mundësi këto 60 ligje në këtë kohë me prodhu një drejtim strategjik? Ky është një problem thelbësor që do të adresohet në Kuvend…Është detyrë primare e Kuvendit, për shkak se Kuvendi ka miratuar një zotim shtetëror për të ndihmuar në mbrojtjen e çlirimtarëve, mirëpo kjo nuk do të bëhet shpejt. Duhet bërë bukur kujdesshëm”, tha Tahiri.
Të enjten do të mbahet seanca e parë plenare pas zgjedhjes së presidentit më 6 tetor.

