Sadiku: Sulmet e VV-së ndaj Përparim Ramës janë të ulëta, kryetari të bashkëpunojë me prokurorinë që për të sqaruar procesin

by Nexhat

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, vlerëson se “sulmet ndaj kryetarit të Prishtinës nga aktivistë, anëtarë e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë të ulëta dhe të dobëta”.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Sadiku shkruan se “që pesë vite kanë ndërtuar një narrativë se ai do të arrestohet, se ka lidhje me krimin dhe se është i përfshirë në gjithçka të mundshme. E kanë linçuar publikisht, i kanë hyrë në jetën private dhe nuk ia kanë kursyer as familjen”.

banner

Ai thotë se “deri më sot, pas gjithë këtyre akuzave, rasti i vetëm që kanë ndertu është ai për rritjen e çmimit të biletave të autobusëve. Paramendoni”.

Ai shkruan se “kritika politike është legjitime. Kërkimi i llogaridhënies është i domosdoshëm. Por akuzat publike duhet të mbështeten në fakte, ndërsa përgjegjësia penale të përcaktohet nga drejtësia, jo nga propaganda partiake”.

Sipas tij, “Prishtina meriton debat për punën, rezultatet dhe problemet e qytetarëve, jo sulme personale e familjare”.

“Unë do ta lusja kryetarin e Prishtinës dhe Prokurorinë që të bashkëpunojnë plotësisht për ta sqaruar këtë proces deri në fund”, vijon Sadiku.

“Çdo dyshim duhet të hetohet, çdo fakt duhet të dalë në dritë dhe çdo akuzë duhet të marrë përgjigje institucionale”, deklaron deputeti i LDK-së.

“Është në interes të kryetarit, të drejtësisë dhe, mbi të gjitha, të qytetarëve të Prishtinës që kjo çështje të sqarohet njëherë e mirë”, thotë ai.

“Sepse askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por as askush nuk duhet të dënohet nga propaganda para se të flasë drejtësia”, përfundon Sadiku.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy