Komisioni Evropian dënon dhunën në Shqipëri, bën thirrje për dialog

by Nexhat

Komisioni Evropian ka reaguar zyrtarisht ndaj zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, duke dënuar aktet e dhunës të regjistruara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Përmes një deklarate për shtyp, ekzekutivi i Bashkimit Evropian nënvizoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të ushtrohen rreptësisht në mënyrë paqësore.

Në qëndrimin e tij zyrtar, Komisioni Evropian u shpreh i prerë kundër përshkallëzimit të tensioneve në rrugë: “Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të jetë proporcional”.

banner

Gjithashtu, KE-ja këmbënguli në nevojën për zbatimin e shtetit të së drejtës për të gjithë shkelësit e rendit, duke deklaruar se “përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi të rregullt ligjor”.

Nga ana tjetër, Brukseli rikujtoi rëndësinë e të drejtave civile në kontekstin e integrimit evropian të vendit.

“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, vëren më tej Komisioni Evropian, ndërsa mirëpret garancitë e dhëna nga autoritetet vendase për mbrojtjen e të drejtës për të protestuar.

Në përmbyllje të deklaratës, KE-ja i bëri thirrje palëve që të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit institucional: “Në një vend kandidat që është i përkushtuar shumë ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy