Marina Ushtarake e Spanjës ka ndryshuar procedurat e reagimit ndaj kalimit të anijeve marokene në ujërat territoriale pranë Ceutës dhe Melillës. Tashmë, forcat detare ndërhyjnë në mënyrë më aktive, pa pritur autorizim paraprak nga nivelet më të larta të komandës.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle El Mundo, duke cituar një burim ushtarak, më herët lëvizjet e anijeve marokene monitoroheshin kryesisht nga Qendra e Operacioneve dhe Mbikëqyrjes së Veprimtarisë Detare (COVAM), pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë, shkruan Euronews,
Megjithatë, situata ka ndryshuar që nga ditët e fundit të korrikut. Tani, përveç monitorimit, anijet e Marinës spanjolle dalin në det për të takuar dhe vëzhguar nga afër mjetet lundruese marokene
“Jemi më vigjilentë; nuk presim më që ato të hyjnë përpara se të veprojmë”, citohet të ketë thënë burimi ushtarak për El Mundo.
Koncepti juridik i “kalimit të padëmshëm” u lejon anijeve të huaja të kalojnë nëpër ujërat territoriale të një shteti bregdetar, për sa kohë që lundrimi i tyre nuk cenon paqen, rendin apo sigurinë e këtij shteti.
Ky parim rregullohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit dhe është baza ligjore që Maroku ka përdorur për të argumentuar praninë dhe lëvizjet e anijeve të tij pranë Ceutës dhe Melillës.
Sipas raportimit, deri më 30 korrik, autoritetet spanjolle i ndiqnin këto lëvizje kryesisht përmes monitorimit, pa ndërhyrë drejtpërdrejt. Ndryshimi i protokollit vjen pas incidenteve të fundit, përfshirë lëvizjet detare në periudhën kur në kufirin e Ceutës u regjistrua një fluks masiv migrantësh

