Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë tri vendime për ricaktimin e lëndëve penale që ndërlidhen me rastin e Arlinda Zekaj nga Prokuroria Themelore në Pejë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tha se vendimet janë marrë në mbështetje të nenit 20, paragrafi 2, të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë të këtyre çështjeve, pasojat e rënda që kanë rezultuar, si dhe nevojën për të siguruar trajtimin e mëtejmë efikas, objektiv dhe të paanshëm të lëndëve.
“Ricaktimi i këtyre lëndëve synon të sigurojë që ato të trajtohen me kujdesin, vëmendjen dhe seriozitetin e duhur, në përputhje me ligjin dhe me rëndësinë e rrethanave të secilit rast”.
Paralelisht me ricaktimin e lëndëve, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tha se është duke analizuar në “mënyrë të gjithanshme” të gjitha veprimet dhe mosveprimet eventuale institucionale lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera.
“Ky proces përfshin shqyrtimin e kronologjisë së veprimeve të ndërmarra, vendimeve të nxjerra, vlerësimit të rrezikut dhe masave të ndërmarra për mbrojtjen e saj, si dhe të çdo rrethane tjetër relevante për përcaktimin e përgjegjësive eventuale. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do të kërkojë llogaridhënie të plotë për çdo shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprim që mund të konstatohet. Në rast se evidentohen shkelje ose përgjegjësi, do të ndërmerren masa rigoroze dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilin zyrtar, në përputhje me ligjin dhe kompetencat përkatëse”.
Qëllimi i këtij procesi, sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është që të gjitha rrethanat “të sqarohen plotësisht, të identifikohen mangësitë eventuale dhe të sigurohet që përgjegjësia institucionale dhe individuale të trajtohet me seriozitetin e duhur”.
“Vlerësimi do të zhvillohet mbi bazën e fakteve, dokumentacionit dhe provave përkatëse, pa paragjykuar paraprakisht përgjegjësinë e ndonjë personi”.
Kryeprokurori i Shtetit shtoi se mbrojtja e jetës, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia institucionale janë “detyrime që nuk mund të neglizhohen”.
“Institucionet e drejtësisë kanë përgjegjësi të veçantë që çdo raportim të trajtohet me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme dhe që çdo dyshim për mosveprim ose trajtim të papërshtatshëm të shqyrtohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave”.

