Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të përbërë prej 11 anëtarësh nga 9 shtete të ndryshme, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Kurti i tha këtij delegacioni se anëtarësimi në NATO i Kosovës është “prioritet strategjik” i tij dhe tha se kjo “i shërben paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”.
Përveç kësaj, sipas ZKM’së, Kurti në takim iu foli mysafirëve edhe për “përparimin demokratik” dhe “zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik” në Kosovë.
Gjithashtu në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, sikurse për “ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aftësimin profesional të ushtarakëve tanë, në përputhje me politikat dhe standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut”.


