Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në kuadër të hetimeve për rastin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Të njëjtën ditë Rama mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.
Aty u diskutua për ecurinë e përgatitjeve dhe hapat e mëtejmë për organizimin e Lojërave Mesdhetare.Megjithatë, në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit (ZKM) për këtë mbledhje nuk përmendet emri i Përparim Ramës, ndonëse ai ishte pjesë e takimit.
Më vonë gjatë ditës, Rama u paraqit në Prokurorinë Speciale, ku u intervistua në cilësinë e të pandehurit.
Rama e Kurti janë përplasur lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Rama ka akuzuar Qeverinë dhe Kurtin për ndërhyrje në organizimin e Lojërave, duke pretenduar se Prishtina është anashkaluar në vendimmarrje dhe se atij i është mohuar hapësira për të qenë pjesë e proceseve organizative.
Përplasjet janë thelluar edhe për çështjen e drejtimit të Komitetit Organizativ, pasi Kurti ka marrë rolin e kryetarit të tij, gjë që Rama e ka kundërshtuar. Kryetari i Prishtinës ka pretenduar se Qeveria po e trajton organizimin si projekt politik dhe po e anashkalon komunën nikoqire. Ai ka kritikuar edhe tentativat për ndryshimin e emrit nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”, duke ironizuar se është i gatshëm që Lojërat të mbajnë edhe emrin “Albin Kurti 2030”, vetëm që Kosova të mos e humbasë organizimin.

