Detaje të reja dalin nga dosja hetimore e SPAK për vilën në Dhërmi, që dyshohet se i përket ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në materialet hetimore ndodhet edhe një fotografi ku shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe.
Fotografia është dërguar më 17 korrik 2021 dhe është gjetur në telefonin e Lavdrim Smones, bashkëshortit të gruas që kryente pastrimet në banesën e Ballukut në Tiranë.
Bashkëshorti i sanitares, së bashku me gruan dhe vajzën e tij, udhëtonin herë pas here drejt Dhërmiut për të kryer pastrimet në vilë. Transporti i tyre organizohej në disa raste nga shoferi personal i Ballukut.
Sipas dosjes, arredimi dhe investimet në pronë ishin bërë sipas preferencave të ish-zëvendëskryeministres. Ndërkohë, të dhënat e telefonisë celulare tregojnë se Balluku e kishte përdorur vazhdimisht vilën që prej vitit 2019.
Prona, me sipërfaqe 103 metra katrorë dhe truall prej të paktën 300 metrash katrorë, është sekuestruar me vendim gjykate.
Dosja e SPAK përfshin gjithsej 31 të pandehur, mes tyre pesë ndërtues dhe dy firma private. Në listën e personave të marrë të pandehur janë Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ramë Geci.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, ku mbi 10 persona janë marrë të pandehur. Krahas akuzave për shkeljen e barazisë në tendera, hetimet përfshijnë edhe shpërdorimin e detyrës. Mes tyre është edhe ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi.

