Policia holandeze ka intensifikuar kërkimet për pesë shtetas serbë, të dyshuar për përfshirje në një prej grabitjeve më të bujshme të bizhuterive në Evropë. Bëhet fjalë për vjedhjen e diamanteve dhe sendeve të çmuara, me vlerë rreth 40 milionë euro, gjatë panairit ndërkombëtar të artit TEFAF, në Mastriht, në vitin 2022.
Mes personave të shpallur në kërkim është edhe 41-vjeçarja Ninoslava Joviç, nga Nishi i Serbisë. Prokuroria në provincën holandeze të Limburgut ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për informacione që ndihmojnë në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve. Ndërkohë, kompania e sigurimeve ka vendosur një shpërblim prej 600 mijë eurosh për të dhëna që çojnë në gjetjen e bizhuterive të zhdukura.
Sipas hetimeve, Joviç dyshohet se ka ndihmuar në organizimin e operacionit kriminal, por nuk akuzohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në thyerjen e vitrinave apo në marrjen e sendeve me vlerë. Ajo besohet se ndodhet në Serbi, ndërsa gjurmët e fundit të saj janë regjistruar në qytetin e Nishit.
Policia holandeze ka publikuar edhe të dhënat fizike të 41-vjeçares, me shpresën se qytetarët mund të ndihmojnë në identifikimin e saj. Ajo ka sy kafe, flokë që mund t’i ketë natyralisht kafe ose të lyer biondë dhe buzë të plota. Një tjetër element dallues janë dy tatuazhet në parakrahë: emri “Selena” në krahun e djathtë dhe fjala “Faith” në të majtin.
Në listën e të kërkuarve janë edhe katër burra nga Nishi: Aleksandar Ceniç, Aleksandar Stojiljkoviç dhe Duško Dimitrijeviç, të tre 50 vjeç, si dhe Bratislav Stojanoviç, 41 vjeç. Autoritetet dyshojnë se ata kanë lidhje me grupin famëkeq kriminal “Pink Panther”, i njohur ndërkombëtarisht për grabitjet e dyqaneve luksoze të bizhuterive.
Ngjarja që tronditi panairin TEFAF ndodhi më 28 qershor 2022. Katër persona, të cilët në pamje të parë dukeshin si vizitorë të zakonshëm, iu afruan stendës ku ekspozoheshin bizhuteritë e shtrenjta dhe, me çekiçë, thyen vitrinat e xhamit për të marrë sendet me vlerë. Mes tyre ishte edhe një gjerdan i rrallë me diamant të verdhë, i vlerësuar deri në 27 milionë euro.
Një pjesë e vogël e objekteve të grabitura është rikuperuar më vonë në Hong Kong, Izrael dhe Botsvanë, ndërsa pjesa më e madhe vijon të jetë e zhdukur.
Hetimi nuk është kufizuar vetëm te pesë shtetasit serbë. Policia po kërkon të identifikojë edhe dy gra, të cilat janë filmuar nga kamerat e sigurisë pas grabitjes. Ato udhëtonin me një automjet tip “Opel”, që dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Makina kishte kaluar fillimisht nëpër Belgjikë dhe më pas ishte braktisur në garazhin e një hoteli në Frankfurt të Gjermanisë. Pikërisht aty, kamerat e sigurisë kanë filmuar dy gratë, të veshura me fustane, njëra prej të cilave mbante sandale të kuqe.
Autoritetet sqarojnë se dy gratë nuk dyshohen për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në grabitje. Megjithatë, ato konsiderohen persona që mund të kenë informacione të rëndësishme për lëvizjet e grupit dhe arratisjet. Policia kërkon ndihmën e publikut për të zbardhur plotësisht një prej grabitjeve më të mëdha të bizhuterive në kontinent.

