Irani pret lëvizjen e radhës të Trumpit pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit

by Nexhat

Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara pritet të sjellë ndryshime në Kongres dhe në politikën e jashtme në Uashington. Por, brenda Iranit shumë zyrtarë thonë se presin që shteti i tyre të mbetet në shënjestër të presidentit Donald Trump, ndonëse votimet e kanë dobësuar pozicionin e tij.

Teksa rezultatet u bënë publike mbrëmjen e 3 nëntorit, me demokratët që morën kontrollin nga rivalët republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, Trump e pranoi se lufta që ai nisi ndaj Iranit në fund të shkurtit e dëmtoi partinë e tij.

banner

Por, udhëheqësi suprem iranian, Mojtaba Khamenei, tha përmes një deklarate më 4 nëntor – në përvjetorin e ditës kur studentët radikalë çimentuan rrëzimin e shahut të mbështetur nga SHBA-ja, duke sulmuar Ambasadën amerikane dhe duke mbajtur peng 52 shtetas amerikanë për 444 ditë – se kushdo që pret ndryshim thelbësor të politikës amerikane vetëm pse një parti zëvendësoi tjetrën “gabohet rëndë”.

Ai paralajmëroi kundër “çfarëdo prirjeje, sado të vogël, të nënshtrimit” ndaj SHBA-së, duke shtuar se “SHBA-ja e sheh fundin e hegjemonisë së saj si diçka të largët, ne e shohim si diçka të afërt”.

Teksa negociatorët iranianë dhe amerikanë kanë zhvilluar bisedime indirekte ditëve të fundit – kryesisht me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit – me synimin që t’i jepet fund konfliktit ushtarak, Trump ka refuzuar që ta përjashtojë mundësinë e rifillimit të sulmeve ndaj Iranit. Ai ka deklaruar se SHBA-ja duhet “të merret” edhe me një ose dy objektiva të tjera, përfshirë një objekt të dyshuar bërthamor.

Jalal Rashidikoochi, ish-deputet reformist iranian, tha se sheh pak dallime mes demokratëve dhe republikanëve, megjithëse i përshkroi zgjedhjet e mesmandatit në SHBA si një refuzim “historik dhe poshtërues” nga votuesit amerikanë ndaj atyre që nisën luftën kundër Iranit. Ai u bëri thirrje anëtarëve të sapozgjedhur të Kongresit amerikan që ta kenë parasysh këtë mesazh.

Shumë zyrtarë e shfrytëzuan rastin për t’u mburrur me rezultatet, ku disa ia atribuuan ato “rezistencës popullore” të iranianëve, “trimërisë së luftëtarëve iranianë” dhe “hakmarrjes historike” të Iranit ndaj përgjegjësve për vrasjen e udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, më 28 shkurt, në ditën e parë të konfliktit të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Por, deklarata të tilla nuk tregojnë domosdoshmërish se si do të veprojë udhëheqja e Iranit.

Po ashtu, zgjedhjet mund të sjellin më pak ndryshime nga sa sugjerojnë zyrtarët iranianë, pasi Trump ende ka në dispozicion disa instrumente të fuqishme të politikës së jashtme dhe ai ka mandat deri në janar të vitit 2029.

Qasje më e ashpër apo pritje?

Hamidreza Azizi, analist për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me seli në Bruksel, i tha Radios Evropa e Lirë se zyrtarët e lartë iranianë i shohin rezultatet në SHBA si fitore për Republikën Islamike dhe si konfirmim të qasjes së saj të pakompromis.

“Në këtë kontekst, pres që rezultatet të çojnë në një ashpërsim më të madh, e jo në zbutje të qëndrimit të Iranit”, deklaroi ai.

Sipas tij, kjo vlen veçmas për kërkesat kryesore të Teheranit: që Uashingtoni të ndërmarrë hapin e parë duke hequr sanksionet dhe bllokadën, si dhe që çdo marrëveshje të mos përfshijë koncesione të mëdha sa u përket çështjeve bërthamore.

Azizi paralajmëroi se një qëndrim i tillë mund ta rrisë, e jo ta ulë, rrezikun e një përplasjeje të re, veçanërisht nëse presidenti Trump vendos se nuk ka asgjë për të humbur dhe beson se një fitore jashtë vendit mund ta kompensojë humbjen në zgjedhjet e mesmandatit.

Sipas Damon Golriz, ligjërues në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Hagë, një tjetër mundësi është që Teherani të zgjedhë që të presë deri në përfundimin e mandatit presidencial të Trumpit.

Golrizi i tha Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se Irani mund të arrijë në përfundim se është më mirë që të shmangë koncesionet e mëdha me Trumpin dhe të presë një administratë të re amerikane, me të cilën beson se mund të arrihet një marrëveshje më e qëndrueshme.

Ai përmendi negociatat gjatë presidencës së Barack Obamës, të cilat çuan në arritjen e marrëveshjes bërthamore më 2015 si dhe angazhimit serioz diplomatik gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, si dëshmi se një mjedis tjetër politik në Uashington mund t’i ofrojë Teheranit mundësi më të mira.

Golrizi tha se pret që periudha e ardhshme të jetë e paqëndrueshme, pasi sipas tij, Trump mund të përpiqet që të shfaqë forcë pas rezultatit të pafavorshëm zgjedhor dhe të vazhdojë të mbështetet në presionin ushtarak dhe ekonomik për ta detyruar Iranin që të bëjë lëshime.

Megjithatë, ai argumentoi se sulmet ushtarake nuk mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me programin bërthamor të Iranit dhe me Ngushticën e Hormuzit. Sipas Golrizit, një zgjidhje afatgjatë do të kërkonte negociata “sekrete, të drejtpërdrejta, afatgjata dhe serioze”, potencialisht edhe më të gjera sesa bisedimet që çuan në arritjen e marrëveshjes bërthamore më 2015.

Ndërkaq, Azizi tha se udhëheqja në Teheran duket se është e vetëdijshme për rrezikun, duke iu referuar paralajmërimit të Khameneit. Por, sipas tij, rezultati varet kryesisht nga Uashingtoni.

“Rreziqet mbeten të mëdha”, tha ai. “Shumëçka varet nga mënyra se si Trump e vlerëson pozitën e tij dhe atë të Partisë Republikane, si dhe nga mënyra se si u përgjigjet presioneve të brendshme që e shtyjnë në njërin apo tjetrin drejtim”./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy