Një zjarr ka përfshirë një pjesë të objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë, në orët e para të mëngjesit të së hënës. Sipas njoftimit të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë, rasti është raportuar rreth orës 02:20 pas mesnatës, kur ekipet emergjente janë mobilizuar për të intervenuar në vendin e ngjarjes.
Zjarri kishte shpërthyer në një pjesë të depos që ndodhet në bodrumin e objektit shëndetësor, duke rrezikuar përhapjen edhe në hapësirat e tjera të QKMF-së. Falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, flakët janë vënë nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe dëmet potencialisht më të mëdha.

