Rasti i Arlinda Zekajt, raportet e MD-së dhe MPB-së i dërgohen Komisionit Parlamentar, mbledhja mbyllet për media

by Nexhat

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje e ka mbajtur sot  mbledhjen e radhës.

Pas një diskutimi nga anëtarët e këtij komisioni, mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura.

banner

Mbledhja pason një takim të premten, ku u diskutua edhe për mosdorëzimin e raporteve të kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Kryesuesi i këtij komisioni, Burim Ramadani tha se sot Zyra e Kryeministrit i ka dërguar këtij komisioni raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se kështu ka filluar bashkëpunimi institucional lidhur me veprimet që do të ndërmerren për rastin e Arlinda Zekajt.

Eman Rrahmani nga PDK-ja, tha se Zyra e Kryeministrit, sipas tij, po tenton t’i mbulojë të metat e institucioneve në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha ai. ​

Kryesuesi i komisionit Burim Ramadani u zotua para mediave se gjithçka do të jetë transparente.

“Kemi pasur qëndrime të kundërta, nuk jemi pajtuar, kemi dalë secili kemi folur dhe është ajo pjesë që nuk e fsheh askush”, tha Ramadani.

Mbledhja e komisionit u vendos të vazhdojë pa praninë e mediave. Në rend dite janë plotësim-ndryshimi i Planit të Punës dhe kalendarit të aktiviteteve, hartimi preliminar i listës së dokumenteve që do t’u kërkohen institucioneve relevante, si dhe miratimi i buxhetit të komisionit.

Komisioni hetimor parlamentar është themeluar më 29 tetor nga Kuvendi i Kosovës dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh. Ai do të hetojë veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, si dhe për të shqyrtuar trajtimin institucional të dhunës në familje.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy