Manchester United po synon transferimin e kapitenit të Brentfordit, Nathan Collins, sipas raportimeve, pasi Mauricio Pochettino kërkon të përforcojë repartin defensiv gjatë afatit kalimtar të janarit.
Pochettino, i cili u konfirmua këtë javë si trajneri i ri i Manchester Unitedit, do të marrë drejtimin e një mbrojtjeje që këtë sezon ka pësuar më së shumti gola në të gjitha garat, krahasuar me skuadrat e pesë ligave kryesore evropiane.
Michael Carrick u detyrua ta aktivizonte Diogo Dalotin në pozitën e mbrojtësit të majtë për disa javë, pas lëndimit të Luke Shaw, ndërsa Leny Yoro në disa raste luajti si mbrojtës i djathtë, në një repart defensiv të improvizuar.
Duke pasur parasysh vështirësitë e vazhdueshme në mbrojtje, Pochettino pritet t’i përforcojë alternativat e tij në janar. Sipas një raportimi të “Football Insider”, drejtuesit e Unitedit kanë nisur tashmë identifikimin e objektivave të mundshëm.
Njëri prej tyre besohet të jetë qendërmbrojtësi i Brentfordit, Nathan Collins, i cili konsiderohet si një futbollist që i plotëson shumë prej kritereve të kërkuara. Në veçanti, janë përmendur cilësitë e tij udhëheqëse.
Pete O’Rourke, gazetari i transferimeve në Football Insider, ka shpjeguar arsyet pse Collins do të ishte një opsion tërheqës për Manchester Unitedin.
“Ai e njeh shumë mirë Premier League-n dhe ka përvojë të madhe, pavarësisht se është ende vetëm 25-vjeçar. Është kapiten i Brentfordit dhe gjithashtu i Përfaqësueses së Irlandës, prandaj ka edhe cilësi të mira udhëheqëse. Natyrisht, Brentfordi nuk do të dëshirojë ta humbasë atë”, ka thënë O’Rourke.
“Manchester Unitedi padyshim që do të ndërmarrë një riorganizim të madh të repartit defensiv gjatë dy afateve të ardhshme kalimtare”.
Ai shtoi: “Nathan Collins i plotëson shumë kritere, por, siç thashë, Brentfordi nuk do të dëshirojë ta humbasë. Kjo tregon se ndoshta Unitedi po kërkon përforcime brenda Premierligës”.
Sipas “Daily Mail”, 25-vjeçari është në listën e ngushtë të Manchester Unitedit, së bashku me Calvin Bassey të Fulhamit dhe Jarrad Branthwaite të Evertonit.
Sa i përket transferimit të Collins, Brentfordi pritet të jetë shumë ngurrues për t’u ndarë me kapitenin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Mbrojtësi është shndërruar në një prej figurave më me ndikim te Brentfordi që prej transferimit nga Wolves në vitin 2023. Cilësitë e tij udhëheqëse dhe paraqitjet e qëndrueshme bënë që ai ta merrte shiritin e kapitenit pas largimit të Christian Nørgaard.
Rëndësia e tij për skuadrën u dëshmua edhe gjatë sezonit 2024/25, kur u bë lojtari i vetëm i repartit ofensiv dhe defensiv në Premier League që luajti çdo minutë të kampionatit.
Ndërkohë, Pochettino do ta sjellë me vete në Old Trafford edhe stafin e tij të besuar, përfshirë ndihmësit Jesus Perez dhe Miguel D’Agostino, si dhe trajnerin e portierëve Toni Jimenez, me të cilin punon prej shumë vitesh.
Pjesë e stafit do të jetë edhe djali i tij, Sebastiano, i cili do të angazhohet si trajner i përgatitjes fizike.
Raportimet pretendojnë gjithashtu se Manchester Unitedi mund të bëjë një emërim historik, duke angazhuar Silvia Tuyën, e cila do të bëhej femra e parë pjesë e stafit teknik të klubit në historinë 148-vjeçare të tij.
A Bola, duke iu referuar raportimeve të The Guardian, ka bërë të ditur se Tuya pritet ta ndjekë Pochettinon në qendrën stërvitore të klubit në Carrington.
Tuya është trajnere e forcës dhe kondicionit fizik, e cila iu bashkua stafit të Pochettinos te Përfaqësuesja e SHBA-së si një anëtare e re. Ajo e kishte bërë të ditur këtë angazhim në tetor të vitit 2027, përmes një postimi në rrjetin social X.
“Shumë e lumtur që i bashkohem stafit të Pochettinos si trajnere e forcës dhe kondicionit fizik te Përfaqësuesja e meshkujve të SHBA-së”, kishte shkruar ajo.
Spanjollja ka doktoraturë në shkencat sportive, pasi ka studiuar në universitet në Barcelonë, ku kishte kryer edhe një praktikë kërkimore në Leeds.
Ajo e kishte nisur karrierën si trajnere e forcës dhe kondicionit fizik te skuadra e futbollit të femrave Levante Las Planas, ndërsa njëkohësisht kishte punuar edhe si trajnere personale për sportistë.

