Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të jenë vigjilentë dhe të bëjnë kujdes, duke paralajmëruar se mund të ketë “tubime të mëdha dhe ngjarje publike” në të gjithë Europën.
Këto ngjarje, Ambasada Amerikane thotë se “mund të paraqesin mundësi për sulme nga grupet terroriste dhe kriminelët”.
“Me afrimin e sezonit të festave, qytetarët amerikanë duhet të jenë vigjilentë ndaj rrethinës së tyre dhe të tregojnë kujdes për sigurinë personale dhe vetëdije për situatën. Tubimet e mëdha dhe ngjarjet publike mund të paraqesin mundësi për sulme nga grupet terroriste dhe kriminelët. Terroristët – përfshirë individët që veprojnë të vetëm – mund të kryejnë sulme me pak ose aspak paralajmërim, duke shënjestruar vende turistike si tregjet, nyjat e transportit, qendrat tregtare, objektet e kultit dhe hapësirat e tjera publike”, thuhet në njoftim.
Ambasada amerikane thotë se “qytetarët amerikanë duhet të tregojnë vigjilencë të shtuar gjatë festivaleve dhe aktiviteteve të festave, si dhe në lokacione të tjera me turma të mëdha njerëzish. Vizitorët në zonat e mbipopulluara dhe të frekuentuara nga turistët duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë rrethinës së tyre dhe të ndjekin gjithmonë udhëzimet e policisë dhe zyrtarëve të reagimit emergjent”.
“Ndërprerjet e udhëtimeve dhe të jetës së përditshme mbeten të mundshme në të gjithë Europën gjatë sezonit të festave. Grevat dhe protestat janë shpeshtuar gjatë muajve të fundit. Në nëntor, kërcënimet e rreme për bomba kanë shënjestruar aviacionin civil në shumë vende europiane, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve. Amerikanët duhet t’i përcjellin lajmet lokale gjatë udhëtimeve jashtë vendit për festa, në mënyrë që të jenë të informuar për ngjarjet ose zhvillimet lokale që mund të pengojnë transportin ose jetën e përditshme. Ne i inkurajojmë të gjithë qytetarët amerikanë jashtë vendit të regjistrohen në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (STEP), për të marrë përditësimet më të fundit të sigurisë për destinacionet e tyre”, thuhet në njoftim.
Ambasada i udhëzon shtetasit amerikanë që të qëndrojnë vigjilentë, t’i shmangin protestat dhe zonat ku ka prani të madhe policore, të mos tërheqin vëmendje, t’i mbajnë të sigurta sendet me vlerë në çanta kur ndodhen në vende publike. Ata gjithashtu udhëzohen të kontaktojnë kompanitë përkatëse ajrore për t’u siguruar nëse ka ndonjë ndërprerje që mund të ndikojë në planet e tyre të udhëtimit.
“Nëse ndodheni në një lokacion që evakuohet ose në një fluturim që devijohet, ju lutemi ndiqni udhëzimet e dhëna nga zyrtarët ose personeli lokal. Njoftoni familjen, miqtë dhe kontaktet e tjera të besuara për planet tuaja të udhëtimit dhe qëndroni në kontakt me ta. Përcillni lajmet lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale. Regjistrohuni në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (STEP). Ndiqni Departamentin e Shtetit në X dhe Facebook”, thuhet në paralajmërim.

