Mimoza Kusari, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-deputetit Sllavko Simiq, për incizimin e bisedave me të, që u publikuan së fundmi në media.
Sipas Kusarit, nuk ka pasur për qëllim informimin shpërndarja e audio-incizimeve të bisedave me zyrtarin e Listës Serbe, pas të cilave, ajo ka pohuar se ka biseduar përmes interfonit edhe me zyrtarin e arratisur të LS, Milan Radojciqin.
Kusari thotë se publikimi i atyre audio-incizimeve dhe interpretimi i tyre ka nxitur kërcënime ndaj saj.
Shefja e deputetëve të LV-së akuzon partinë opozitare, PDK-në se nga ajo burojnë lajmet, sipas saj, të rrejshme për të. Më poshtë, ka thënë se fushata ndaj saj ka adresë Serbinë.
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Kusarit:
Dorëzova Kallzim penal ndaj ish Nënkryetarit të Kuvendit, ish deputetit dhe zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiq
Inçizimi dhe publikimi i inçizimit të jashtëligjshëm nga ish Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Slavko Simiq, shpërndarja e tyre me interpretime dhe ndërhyrje, nuk e kanë qëllimin as informimin e drejtë, as ndonjë parim tjetër. Ato janë akte penale në njërën anë, dhe aktivitete dizinfomuese nga ana tjetër.
Të njëjtat tani janë pjesë e kallzimit penal dorëzuar Prokurorisë së Shtetit me 1 Gusht, 2023.
Përveç jashtëligjshmërisë së inçizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar.
Nuk i ka mjaftuar inçizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes.
Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante.
Të dashur qytetare e qytetarë,
Në këtë periudhë kohore janë publikuar dhjetëra lajme të rreme, të verifikuara nga monitoruesit. Burimi i tyre përveç nga individë është edhe nga një parti politike parlamentare, PDK.
Kjo është një fushatë e sulmit ndaj meje dhe rrjedhimisht ndaj detyrës që unë mbaj, ndaj grupimit politik e institucional që unë i përkas.
Lista Serbe ka 14 muaj që nuk është më pjesë e institucioneve. Deputetët e dikurshëm të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës. Ata janë gjendur në veprime të tjera kriminale duke sulmuar gazetarët dhe pjesëtarët e NATO-s në protestat e dhunshme që i shkaktuan në 3 komunat e veriut të vendit gjatë muajit Maj dhe Qershor.
Abuzimi ekstrem me këtë material të jashtëligjshëm do të përcillet tek të gjitha institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe publikimin e informacionit.
Për pjesëtarin e Listën Serbe, për porositësit e urdhëruesit e tij dhe për shpërndarësit e nxitësit e dhunës dhe urrejtjes në publik do të vijojnë denoncimet.
Të njëjtët po synojnë të vijojnë me fushatat e tyre.
Pavarësisht si duken fytyrat dhe emrat, le ta themi qartë cila është adresa e kësaj fushate: Serbia, regjimi i Vuçiqit dhe bandat e zgjatimet e tyre në Kosovë