Vllaznia e femrave është kualifikuar për në fazën tjetër të kualifikueseve të Champions League. Vajzat shkodrane triumfuan 4-2 ndaj Hajvalisë, në sfidën e luajtur në “Loro Boriçi”.
Të parat që shënuan ishin të besuarat e trajnerit Lika me anë të Berishës, pas asistit të Megi Doçit. Reagimi i kampioneve të Kosovës erdhi në minutën e 34-të, teksa Misini vendosi ekuilibrat në 1-1. Në fundin e pjesës së parë, Vllaznia mori përsëri epërsinë me Gjinin, duke shkuar kështu në dhomat e zhveshjes në avantazh. Bashka thelloi avantazhin me një gol fantastik në minutën e 60-të, Hajvalia nuk u dorëzua dhe u rifut në lojë pas golit të Mahmutit.
Loja ishte e bukur nga të dyja skuadrat, ekipet krijuan pafund raste, ndërkohë që atmosfera ishte mjaft e mirë. Në fund, pati kohë edhe për një gol të Berishës, për të vulosur shifrat përfundimisht në 4-2. Kështu, në turin tjetër kualifikues Vllaznia do të përballet me vajzat islandeze të Valur, me synimin e vetëm: Play Off.