Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar dje se është finalizuar “Rruga e Re”, që do të jetë plani qeverisës i kësaj partie. Menjëherë pasi Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, njoftoi për këtë dhe tha se kjo platformë është zgjidhja, kanë filluar reagimet nga partia në pushtet, Vetëvendosje.
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, është munduar që të godasë edhe LDK’në edhe PDK’në në postimin e saj.
Mihali ka pyetur nëse “Kjo rruga a shpie te qeveria në hije e PDK?”
“Se ka humbur prej vjet në pranverë kur u formula”, ka shkruar Mihali.
Për “Rrugën e Re” të LDK’së ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Ai me ironi ka uruar LDK’në, duke shtuar “Uroj që ka ndonjë kontroll rrugës para se me marrë n’qaf naj njeri n’udhë të drejtë ”.
Reagim për këtë ka bërë edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajçinovci.
Ai ka thënë se “Rruga e Re” pa Kurtin, është veç ajo për Prapashticë, duke aluduar për vendlindjen e ish-kryetarit të LDK’së dhe ish-kryeministrit, Isa Mustafa.
“Rruga e Re” e pa Kurtin, është veç rruga për Prapashticë”, ka shkruar Bajçinovci.
Në postimin e tij në Facebook, Abdixhiku tha se ky program me mbi 30 kapituj, do të ofrojë alternativat tona për zhvillim në çdo sektor.
Sipas Abdixhikut, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim.
“Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashta saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq. ‘Rruga e Re’ është zgjidhja”, shkroi Abdixhiku.