Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Besnik Bislimi, i cili Marrëveshjen Bazë të dakordësuar fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars, e konsideronte si një rast që s’duhet humbur, në një intervistë për mediumi opozitar serb, Danas, ka thënë se Kosova ka bërë një lëshim të madh gjatë Ujdisë duke hequr dorë nga njohja formale me Serbinë.
Bislimi ka thënë se Marrëveshje e Brukselit/Ohrit na dërgon në një situate të re dhe më stabile se sa kemi tani, por në anën tjetër e pranon që Kosova ka hequr dorë nga njohja de jure – e cila do të duhej të ishte qendra e marrëveshjes – dhe është mjaftuar me një njohje të tërthortë – de facto.
“Me Marrëveshjen Bazike (27 shkurt) Serbia është pajtuar që ta trajtojë Kosovën si një anëtare të barabartë sovrane, ka njohur integritetin tonë territorial, ka rënë dakord të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.
“Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës” ka thënë Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi duke shtuar se “është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare”.
Duke folur për masat të cilat i janë vendosur Kosovës nga vendet perendimore për shkak të mos koordinimit të aksioneve në veriun e Kosovës, Bislimi, ka thënë se pret që Unioni t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës para takimit të radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut në mes të kryeministrit, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it, më 14 shtator në Bruksel.
Duke u thirrur në takimin që do të mbahet mes dy liderëve më 14 shtator, sipas z. Bislimi “pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese të vendosura Kosovës, para këtij takimi”, ka thënë ai në intervistën e dhënë për mediumin opozitar serb, Danas.
“Huatë dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit Evropian janë në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre. Prandaj, heqja e këtyre masave ndaj Kosovës do të ishte vërtet e mirëseardhur dhe vendim i drejtë i BE-së”, ka thënë ai.
Kujtojmë se marrëveshja që përbëhet prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insistoi Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

