Oda e Veterinerëve e Kosovës (OVK), zgjodhi organet e reja, kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e kryesisë.
Kryetari aktual, DMV. Xhevdet Krasniqi, ka falënderuar kryesinë dhe anëtarësinë e gjerë për mbështetjen e dhënë për gjatë dhjetë vjetëve.
“Edhe përkundër mungesës së ligjit të OVK-së, së bashku kemi bërë punë të prekshme”, tha Krasniqi.
Ai tha se, të qenit i pari i OVK-së, nuk ka qenë privilegj, por përgjegjësi, duke përgëzuar të gjithë ata që kanë shprehur gatishmëri për të marr përgjegjësi, njëherësh duke ofruar mbështetje të pa rezervë për të zgjedhurit.
Kuvendi me shumicë votash, besimin për të udhëhequr për mandat katër vjeçar ia besoi Dr. sc. Arsim Ademit, ndërsa për nënkryetar zgjodhi Hasan Limanin.
Kryetari i posa zgjedhur, Dr. Sc. Arsim Ademi, falënderoj të pranishmit për mbështetjen dhe besimin e dhënë ndaj tij.
“Falënderoj kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e kryesisë në detyrë për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tyre, dhe theksoj se e vlerësoj kontributin e gjithsecilit nga drejtuesit paraprak të Odës së Veterinerëve të Kosovës, pa kontributin e të cilëve OVK nuk do të ishte as këtu ku është sot”, tha Ademi.
Ademi uroj edhe anëtaret zgjedhur të kryesisë së re, dhe u zotua se bashkë me ta do të bëjnë më të mirën e mundshme për avancimin e statutit dhe bazës ligjore të OVK-së, e përmes saj edhe sensibilizimit të institucioneve relevante dhe opinionit të gjerë për rolin e pazëvendësueshëm të mjekëve veteriner.
Kuvendi zgjodhi edhe kryesinë në këtë përbërje: Dardan Pozhegu, Bledion Rushiti, Agim Beqa, Jusuf Kovaçi, Fitim Ahmeti, Mirlinda Cani, Faton Sfërka, Bujar Mustafa dhe nga komunitetet Shaip Sylqiq.
Të gjithë të zgjedhurit, u zotuan se do të bëjnë më të mirën e mundshme për OVK-në.