Tre liderët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca “janë varfëruar” në vitin që shkoi, sipas publikimeve të deklarimeve të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Nga mbi 35 mijë euro sa kishte deklaruar si para të gatshme në bankë një vit më herët, presidentja Osmani sivjet ka deklaruar më pak se 300 euro të gatshme.
Kryeministri Kurti ka deklaruar 119 euro të gatshme në bankë, ndërsa një vit më herët kishte thënë se ka 401 euro.
Kryeparlamentari Konjufca është “varfëruar” për 2 mijë euro. Përderisa vitin e shkuar pati deklaruar mbi 8 mijë e 200 euro para të gatshme, sivjet ai ka thënë se ka mbi 6 mijë euro.
Te pasuritë e paluajtshme nuk kanë pasur lëvizje, përveç te presidentja Osmani që ka thënë se mjetet e gatshme që i ka pasur dhe shitjen e një prone e ka shfrytëzuar për blerjen e një shtëpie.
Sa u përket kredive, Osmani ka deklaruar kredi të përbashkët me bashkëshortin në total prej rreth 150 mijë eurosh, Konjufca ka deklaruar kredi në vlerë prej 61 mijë eurosh, ndërsa Kurti si obligim qiranë dhe kredinë e bashkëshortes prej mbi 250 mijë eurosh.
Te të ardhurat vjetore, Konjufca ka deklaruar pagë neto mbi 34 mijë euro e mëditje rreth 600 euro. Osmani ka thënë se ka pagë vjetore neto prej 33 mijë eurosh e mbi 7 mijë e 600 euro mëditje. Kurti ka deklaruar pagë mbi 16 mijë e 600 euro, ndërsa s’ka deklaruar mëditje.

