Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i pranishëm në samitin e Procesit të Berlinit që po zhvillohet tha për mediat se çështja e Belerit duhet të zgjidhet sa më shpejt.
Ai u shpreh se do të flasë me Ramën për t’i kërkuar betimin e Belerit si kryebashkiak i Himarës.
“Fatkeqësisht në muajt e fundit Shqipëria ka bërë hapa pas në respektimin e të drejtës dhe këtu i referohem rastit të kryetarit të zgjedhur të Himarës që ka pesë muaj që ndodhet në burg. Dua të theksoj respektin tim për pavarësinë e drejtësisë shqiptare. Nuk dua të ndërhy në punë e saj, por dua të theksoj se Fredi Beleri ka të drejtë të betohet edhe si i paraburgosur sepse këtë e parashikon ligji shqiptar”.
“Është e rëndësishme që Beleri të betohet si kryetar i Bashkisë së Himarës që të largohet kjo hije që ndikon mbi marrëdhëniet greko-shqiptare. Zgjidhja e kësaj teme është një kusht i domosdoshëm që Greqia të bije dakord për nisjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shpresoj dhe lutem që ky problem të zgjidhet në vazhdën e frymës së mirë të bashkëpunimit që të mos ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve”, ka thënë Mitsotakis.