Kryetari i Agjencisë Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar per Ekonomia Online, se masat e BE-së ndaj Kosovës tashmë kanë dhënë efektin e tyre negativ.
Duke folur konkretisht për humbjet e Kosovës si pasojë e sanksioneve, Shahini përmendi shifrën prej 2.5 milionë eurove.
Ai pohon se pas Samitit të Berlinit i mbajtur në Tiranë do të gjendet një mundësi që sanksionet të hiqen. Derisa theksoi se Kosova pas sulmit të 24 shtatorit është në avantazh karshi Serbisë, duke shtuar se kjo është mundësi e mirë për kreun e Qeverisë që të gjendet një zgjidhje për dalje nga kriza.
“Katër muaj pas sanksioneve të BE, kundër Kosovës kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit, dhe në qasjen nëpër fonde të ndryshme financiare duke u ndalur këto mbështetje dhe këto fonde të dedikuara për Kosovën, shumë projekte janë ndalë dhe presim që tashmë pas takimeve që do të kenë institucionet e Kosovës me faktorë ndërkombëtare në Tiranë në procesin e Berlinit, të gjejnë një mundësi dhe një modalitet se si të hiqen sanksionet për arsye së këto sanksione janë për herë të parë në historinë e Kosovës”.
“…këto sanksione e kanë dhënë efektin e vet negativ dhe janë duke dëmtuar Kosovën dhe Kosova është duke humbur shumë miliona, për këta katër muaj sipas disa statistikave që ne posedojmë Kosova, po thuajse i ka humbur rreth 2.5 milionë euro, mendojë që Kurti e ka një mundësi të madhe që të bëjë zgjidhje edhe qoftë ekonomike qoftë politike dhe të gjejë mundësinë edhe për daljen nga kriza e dialogut pas sulmit të 24 shtatorit Kosova është në avantazh të mirë dhe ky avantazh mund të krijojë kushte të reja në dialog dhe mund të rifillojë negocimi në formë të ndryshme”.