Ditari i Kosovës: Nga Big-u, tek Zoti. Shumë probleme

by Nexhat

NGA KIMETE BERISHA

1. U preka në shpirt kur e lexova postimin e bashkëluftëtarit të Adem Jasharit që anipse në moshë relativisht të re, ishte detyruar, që së bashku me bashkëshorten, të shtyrë nga vetmia, të vendoseshin për të jetuar në Shtëpinë e të moshuarve.

banner

E paramendova se si iu ishte këputur shpirti duke e mbyllur për herë të fundit derën e shtëpisë së fëmijërisë.

U mërzita.

2. Mërzia dallon nga mërzia.

Vjen dita, dikujt ia lakmon mërzinë.

Një grup meshkujsh ishin mërzitur shumë që një djalë në Big Brother ka pasur shumë qejf të bëhet vajzë, dhe është bërë vajzë.

Të gjithë meshkujt qanin për vuajtjet e ish – djalit.

Nuk e paragjykonin që e shihnin në fotografi të zhveshur në prehërin e një burri, as kur ia shihnin ato buzë të fryra keq.

Por të njëjtit djem, vajzave-vajza u thonë gjithçka: ‘kurva’ të plastikës, budallaqe, eskorta, çka jo.

Ata djem nuk qajnë për vuajtjet e vajzave dhe grave.

Askush nuk i qan gratë, as ato veten nuk e qajnë, prandaj në Kosovë të drejtat e grave shkelen më së shumti në Evropë.

Bota tha se ju jeni meshkujt e dytë më të pagdhendur në Evropë.

– Pse mashkulli shqiptar e shkel femrën?

Sepse, mund ta shkel!

Femra pret rë emancipohet mashkulli, mashkulli pret që femra të bindet e të nënshtrohet, dhe vuajtja vazhdon.

Në këtë vend të drejtat e grave janë luks.

Prandaj, s’ka pse çuditet një ish-djalë që ia shkelin të drejtat si vajzë, sepse shqiptarët ndjehen mirë kur i shkelin femrat.

Kurrë s’e kam kuptuar se pse burrat që i urrejnë gratē nuk martohen me burra.

E, a ka shpëtim?

Ka disa ‘lloje’ të shpëtimeve.

Ka shpëtim ‘të mirë’, dhe shpëtim ‘të keq’ (për këtë lloj shpëtimi rehatia vjen nga kacia);

e shpëtim ‘i mirë’ do të ishte sikur të vijë dita që gruaja të mos ketë më nevojë të jetë nën ‘çadër’, apo nën burrë.

Nënshtrimi ndaj burrit është nevojë e grave të reja, se pastaj, kur gratë moçmonen, dhe e marrin pushtetin, plaku s’ka derë.

Nuk ka plak që nuk ka shkuar nga kjo botë i nënçmuar nga plaka.

3. Të plakësh për shqiptarët është turp, është nivel tepër i ultë, pleqëria në kulturën shqiptare është dështim.

– Ajo plaka!

– Ai plaku!

Edhe Anita u ankua se po i thonë ‘plakë’ që po merret me Big Brother.

Anita e ka zbuluar se frizerka e Bigut e urren profesionin e saj.

E kish bërë Anitën të dukej si paraskeva që zien patate në kazanin e oborrit të kishës jo por si lypësarja e oborrit mbretëror që i ka veshur tinëz teshat kat të mbretit.

Dhe një të dytën flet për disa shpata’ që i kanë mprehur banorët.

Nuk sheh tjetër, përveç shpata dhe ushtarë.

Njërës i tha ‘nuk je në trotuar’, demek nuk je duke u shitur.

Ajo banorja në vend se t’ia kthente hundëve ‘nuk jam në trotuar se aty je ti’…

Nuk do të vinte deri te ky problem sikur unë, për arsye personale, të mos detyrohesha për herë të dytë ta refuzoj ftesën për opinioniste, anipse me 4 euro e 66 centë në bankë.

Ndoshta, e treta e vërteta!

4. Krimi më i madh që bëhet sot ndaj grave është ‘krimi estetik’, që realizohet nga kirurgët estetik: hunda piggy; buzët palaço, mollëzat kloun, flokët fshesë

Pra, fabrika e bukurisë sot është krimi më i madh estetik.

Bukuri e shëmtuar dhe qesharake, grua pa rrudha por me qehre të plakur.

5. Hekuran Murati është mashkull tepër i keq.

Hekurani sillet si Millosheviqi ndaj minatorëve të Trepçës.

Si në kohën e Millosheviqit, atëherë, më 1989 kur minatorët kanë mbajtur grevë në shenjë proteste kundër pushtuesit….

edhe tani kanë hyrë në grevë shkaku se Hekuran Murati ua ka ndaluar të protestojnë kundër pakënaqësive.

Pushteti i urdhëron minatorēt të jenë të kënaqur me pushtetin, se përndryshe ua ndalon rrogat nëse bëhen të pakënaqur.

Urrejtja e Hekuran Muratit ndaj minatorëve duhet ta ketë një shkak.

Pse ka dëshirë t’i shoh të vuajtur, të varfër, në terr, pa rroga dhe

thellë të mbytur në dhé…

6. Kur e urren dikë, ti mendon se urrejtja jote e mbyt armikun tënd.

Çka pritet më shumë nga një popull që fjalën më të mençur e ka thënien ‘kur thyhet buka nuk ngjitet má’ dhe ‘i vdekuri nuk qohet’.

7. Donika Gërvalla e ka shpallur të vdekur Asociacionin, ende pa lindur Asociacioni. Se, për të vdekur duhet të jesh gjallë njëherë.

Kryeministrit Kurti i ka pëlqyer yrneku më i ri i Asociacionit i BE-së.

Glauk Konjufca tha se është Asociacion i mirë.

Por nuk na e tregojnë yrnekun e Asociacionit, ku me ditë pse…për të mos ia vjedhur idenë.

Pasi e mori lajmin se i është vjetëruar faji kur e ka sulmuar me gaz lotësjelles Kuvendin që sot e udhëheq, Glauk Konjufca tha se drafti i Asociacionit do të jetë i qeverisë së Kosovës (pra jo i Amerikës, siç ka propozuar Presidentja e as i BE-së, anipse Albini e ka begenisur).

8. Nuk e dinë çfarë duan.

E dinë çfarë nuk duan.

Kryeministri Kurti nuk i njeh mirë shqiptarët, se sikur t’i njihte mjaftueshëm do ta dinte se as që mërzitet kush për Asociacionin.

Janë të njëjtit shqiptarë që u çmendën për Çakorrin, pastaj kur ndodhi Çakorri u qetësuan, se nuk shtyhet Çakorri me gjoks.

9. I vetmi rast kur do ta pranoja Asociacionin do të ishte nëse do të quhej ‘Asociacioni i komunave të Veriut’.

Dhe me kushtin e vetëm që komunat e tjera me shumicë serbe të mos kenë të drejtë t’i bashkangjiten atij Asociacioni.

Lutfi Haziri rrush prej mendve po, por ky e ka bërë katundin Ranillukë – komunë.

S’ka lënë katund serb që s’e ka bërë komunë.

10. Ngjarje të tmerrshme gjithandej ku jetojnë shqiptarët.

Në Shqipëri ndodhi mitologjia.

Sali Berisha si Romeo, u flijua për dhëndrrin e tij.

Nuk më pengon edhe aq që Sali Berisha ka vjedhur, më pengon që ka lejuar që dhëndrri i tij të vjedh në emrin e tij.

Hajn i prapambetur me mentalitet të mykur.

11. M’e vjedh ka vjedh edhe Rozeta, por nuk ekziston një shprehje për bukën e vjedhur sepse të vjedhësh bukë dhe libra, sipas një idiome tjetër shqiptare, nuk është gjynah, që do të thotë është sevap.

Drejtësia në aksham pazar, e dënoi me 200 euro Rozeta Hajdarin që e ka goditur me veturë një fëmijë.

Enver Dugolli, ekspert i panjohur i mëkateve në trafik tha se i vetmi mëkat i Rozetës është që nuk e ka vozitur veturën zyrtare, pra që nuk e ka shkelur fëmiun zyrtarisht.

12. Derisa jemi në pritje të luftës, sepse as Zoti as Dashuria nuk po na shpëton, një shqiptar e ka dhënë idenë që n’këtë harxh të prishemi edhe me Zotin, se na bie më mirë, tha.

A ka gjë më qesharake se sa t’i besosh shqiptarit e Zotit – jo.

Ku ka më i pabesë se shqiptari.

Zoti nuk të ka mashtruar asnjëherë, se nuk e njeh, ndërsa shqiptari ta ka nxirë jetën, si armiku më i madh i shqiptarit.

Shqiptari i lirë për shqiptarin e lirë është burg.

Naim Tërrnavën e ka zbutur pushteti i gjatë, ndaj tha se ndjen dhimbje për këta njerëz që mendojnë se mjafton të jesh shqiptar.

Nuk është problemi se njerëzit besojnë në Drejtësi qiellore, problemi është se nuk besojnë.

Sa më shumë bën zhurmë-lutja, aq më pak ka besimtarë.

Prandaj bërtasin kur e thërrasin Zotin, se nuk besojnë, por frikësohen.

Kanë frikë se Zoti nuk e dëgjon heshtjen!

P.S. Para se ta humbja besimin isha e bindur se ndodhi çfarë ndodhi, o Zoti o Dashuria na shpëton!

Tash s’më mjaftojnë zotëra sa krejt yjet në qiell e as Dashuri sa krejt bota për ta shkruar një D minor !

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy