FIFA ka publikuar ranglistën e re të ekipeve kombëtare dhe Përfaqësuesja e Kosova dhe ajo e Shqipërisë kanë pasur ngritje pas rezultateve pozitive.
Pas ndeshjeve të tetorit, FIFA ka ardhur me përditësimin e ranglistës së ekipeve kombëtare, ku top dhjetëshja ka mbetur e pandryshuar nga emrat, por jo edhe nga pozitat.
Argjentina vazhdon kryesimin, e ndjekur nga Franca e dyta, Brazili i treti, Anglia e katërta dhe Belgjika si e pesta në pesë pozitat e para të pandryshuara.
Pas tyre vjen Portugalia e gjashta duke u ngritur dy pozita, Holanda mbetet e shtata, Spanja kalon e teta nga e dhjeta sa ishte, Italia mbetet e nënta dhe Kroacia ka rënë për katër pozita, duke u renditur e dhjeta.
Pushimi ndërkombëtar i tetorit ishte pozitiv edhe për Përfaqësuesen e Kosovës, e cila është ngritur për plotë gjashtë pozita.
Kosova ka kaluar nga vendi i 111-të në pozitën e 105-të, duke pasur 1190.74 pikë pas fitores ndaj Andorrës në muajin tetor.
Në nëntor, Dardanët do t’i zhvillojnë tri ndeshje. Të anuluarën ndaj Izraelin, me Zvicrën dhe me Bjellorusinë, kur edhe do ta mbyllin kampanjën kualifikuese për ‘Euro 2024’.
Përveç Kosovës, ngritje ka shënuar edhe kombëtarja e Shqipërisë, e cila ka kaluar tri pozita në renditjen e re të FIFA-s.
Pas fitoreve ndaj Çekisë dhe Bullgarisë, kuqezinjtë kanë kaluar nga pozita e 62-të në atë të 59-të me 1396,83 pikë.
Në muajin e ardhshëm edhe Shqipëria mbyll kampanjën kualifikuese për ‘Euro 2024’ me ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.