Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaron se policët kanë pagë 550 euro neto, e bruto 630 euro. Por, ai thotë se për t’i marrë 2200 euro pagë, ata duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë me nga 20 orë punë në ditë, e me nga 4 orë gjumë.
Ai ka thënë se një Qeveri normale nuk do të lejonte që njësitin elitar të Policisë ta kishte në protestë.
“Por Qeveri normale nuk ka ky shtet. Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend”, shkruan ai.
Reagimi i Abdixhikut vjen pasi kryeministri Albin Kurti tha se pjesëtarët e Njësisë Speciale kanë pajisje në vlerë 10 mijë euro dhe të ardhurat e tyre sivjet shkuan mbi 2200 euro
Reagimi i tij i plotë:
Për t’i marrë 2,200 euro u duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë, me nga 20 orë punë e 4 orë gjumë – dhe atë çfarë pune e çfarë gjumi se!
I thonë punë jashtë orarit; punë shtesë. Për punë të tillë mos paçin nevojë asnjëherë; por janë aty sa herë që kemi nevojë; si vend, si shtet si shoqëri. I thonë angazhim patriotik për atdheun.
Paga e tyre është 630 euro BRUTO!
Kaq paguhen.
550 euro NETO!
Po kërkojnë dinjitet. Dhe dinjitet meritojnë këta dhjetra djem. Hiqni ca meditje nga shëtitjet e thata dhe zgjidhjen e keni krejt të lehtë.
Një Qeveri normale nuk do të lejonte – aq më pak pas sulmit terrorist – t’i kishte djemtë elitarë në protestë. Një Qeveri normale nuk do t’i trajtonte këta djem me propagandë!
Por Qeveri normale nuk ka ky shtet. Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend.
Drejt fundit.
Kosova do të bëhet më mirë!