Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në një status në Facebook, ka thënë se partia në pushtet, n darjen e pushteteve po e sheh si kërcënim.
“Pra, në qeverisje e kemi një parti e cila ndarjen e pushteteve dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e sheh si kërcënim”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo e ka akuzuar Qeverinë për “mendësi totalitare”, të cilën ajo e ka quajtur kërcënim.
“Në demokracitë liberale Kushtetuta dhe ligji shërbejnë si pararojë për të kufizuar epshet, ambiciet, e ndonjëherë edhe deliret e politikanëve të papërgjegjshëm. Kushtetuta nuk është kërcënim. Mendësia totalitare është.
Kryeministri Albin Kurti së fundi është kritikuar për deklaratat e tij drejtuar Prokurorisë, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku ishte diskutuar për arrestimin e Krasniqit, të mbajtur muajin e kaluar Kurti i ka dalë në mbrojtje Krasniqit dhe ka thënë se atij po i bëhet gjyqi në seancë të Kuvendit. Ai e ka cilësuar si të qëllimshëm arrestimin e tij, duke e ndërlidhur me figurën e kandidatit për kryeprokuror shteti, Blerim Isufaj. Për këto qëndrime Kurti është akuzuar nga ligjvënësit opozitarë se po mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili, sipas tyre, ka qenë zyrtar i Vetëvendosjes.
Krasniqi të mërkurën është mbrojtur edhe nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ai gjatë raportimit në Komisionin për integrime evropiane, ka thënë se Prokuroria e Kosovës “s’ka interes të merret me raste, por ka interes të merret me rastin e menaxherit që një kompani që ka punuar me humbje e ka sjellë në profit 107 milionë euro”.
Qeveria së fundi është kritikuar edhe për bllokim të të hyrave vetjake të komunave. Ndërkohë që në mbledhjen e Qeverisë, që është mbajtur të mërkurën, kryeministri Kurti ka thënë se në disa raste niveli i qeverisjes lokale po përdoret si opozitë ndaj nivelit qendror