A do t’ia miratojë sot PE kërkesën e Cramon për heqjen e votës së Serbisë kundër Kosovës në KiE

by informim

Sot Parlamenti Europian ka në agjendë votimin e rezolutës për Kosovën dhe Serbinë, për të cilat u diskutua në seancën e djeshme të PE-së.

Votimi për këto rezoluta është paraparë nga ora 12.00-13.30, por jo pa u kryer edhe një numër votimesh për çështje të tjera.

banner

“Votimi është sot, në orën 12.00-13.30, por ka një numër të madh votash për dosjet e tjera të Parlamentit, kështu që radha e Serbisë dhe Kosovës do të vijë pasi të jenë kryer këto”, ka thënë për zëdhënësja e PE-së, Snjezana Kobescak, pwr Gazetën Express.

Ndërkaq, është paraparë edhe një konferencë për media e raportuesve të këtyre dy rezolutave, Viola von Cramon për Kosovën dhe Vladimír Bilčík për Serbinë.

Konferenca pritet të nisë nga ora 14:30-15:00.

Në raportin që ka prezantuar Cramon, të publikuar në faqen e BE-së, thuhet se ajo do të kërkojë që PE të miratojë edhe një paragraf ku i kërkohet Serbisë që të heqë votën e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, duke theksuar që kjo bie ndesh me Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shpreh keqardhje që Kosova është aktualisht e vetmja demokraci europiane që nuk është ende anëtare e Këshillit të Europës; i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të përmbahet nga përpjekjet për të izoluar vendin fqinj Kosovën nga skena ndërkombëtare duke bërë fushatë kundër njohjes së saj ose duke e përjashtuar vendin nga organizatat ndërkombëtare; i bën thirrje Serbisë të heqë votën e saj bllokuese që e ndalon Kosovën të jetë anëtare e Këshillit të Europës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjë që përndryshe do të binte ndesh me Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve; vë në pah se serbët e Kosovës do të përfitonin nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, pasi kjo do t’u lejonte serbëve të Kosovës të paraqesin ankesa për të drejtat e njeriut në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet mes tjerash në këtë raport që do të prezantojë Cramon.

Po ashtu, mirëpritet edhe aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian.

“Mirëpret deklaratat mbështetëse për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE nga përfaqësuesit qeveritarë nga Austria, Kroacia, Çekia, Estonia, Finlanda, Gjermania, Italia, Lituania, Holanda dhe Suedia”.

Në këtë raport i bëhet thirrje shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme dhe kështu ta lejojnë Kosovën të përparojë në rrugën e saj europiane në baza të barabarta me vendet kandidate.

Ndërkaq, Serbisë pritet t’i kërkohet që t’i përshtatë qëndrimet e saj në politikën e jashtme me ato të BE-së, përfshirë këtu edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Të dyja vendeve i kërkohet që t’i zbatojnë obligimet e marra nga marrëveshjet e arritura dhe se normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve do të arrihet përmes njohjes së ndërsjellë.

Këto raporte janë përgjigjja e Parlamentit Europian ndaj raporteve vjetore të Komisionit Europian për vendet kandidate dhe kandidate potenciale në procesin e anëtarësimit në BE. Rezolutat e miratuara në  seanca plenare përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Parlamentit Europian në lidhje me marrëdhëniet e BE-së me këto vende.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy