Komuna e Obiliqit ka votuar pro faljes së tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurosh për qytetarët, derisa është paraparë që vlera e dëmit nga ky vendim të jetë rreth 250 mijë euro.
Kështu tha kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, në një intervistë për KosovaPress, derisa flet edhe për kërkesat që ka pranuar nga qytetarët për t’u punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), bazuar në ligjin për Obiliqin.
Ndërkaq, për qytetarët të cilët zhvendosen nga fshatrat e Obiliqit për qëllime të KEK-ut, Gashi kërkoi që t’u njihen të drejtat ligjore për punësim në KEK, teksa shtoi se zhvendosja e banorëve në ato fshatra për interes të KEK-ut nuk janë në vullnetin e qytetarëve.
“Sipas të gjitha gjasave, zhvillime ka në këtë drejtim dhe ne shpresojmë që ata të bazohen edhe në Ligjin për Obiliqin, i cili e obligon KEK-un që në kushte të barabarta, qytetarët të cilët janë rezident në komunën tonë më shumë se pesë vite, në kushte të barabarta ta gëzojnë të drejtën e punësimit. Adresimi dhe pakënaqësitë i drejtojnë në nivel qendror.
Kemi pasur takime me qytetarët e zhvendosur. Njëra nga kërkesat që ata e kanë konsideroj se është shumë e drejtë dhe ajo është çështja e punësimit, pasi nuk po kërkojnë më shumë se sa një vend pune. Mendoj që ata duhet të trajtohen seriozisht, sepse janë troje shekullore dhe çdo zhvendosje që ndodh atje nuk është e vullnetshme për ata. Kjo i jep kuptim që me të vërtetë nuk është shumë nëse krijohet një mundësi punësimi për ata njerëz”, tha Gashi.
Sa i përket Ligjit për Obiliqin, Gashi potencoi se ka filluar të implementohet vetëm pjesa financiare, për çka shpreson të zbatohen edhe çështje të tjera të cekura janë këtë ligj.
“Ligji, ka nisur vetëm pjesa financiare të implementohet. Ne shpresojmë që edhe pjesët e tjera të ligjit të implementohen. Është çështja e KEK-ut që ka obligim për trajtimin e rripit të sigurisë, që nënkupton një brez me bankinë dhe me shkurre dhe gjelbërim, i cilido të ndalë sadopak ndotjen në drejtim të qytetarëve dhe në këtë drejtim kemi informacione që edhe ata kanë filluar. Pastaj, që bashkërisht të trajtojmë çështje shëndetësore dhe çështjen e punësimit”, thekson Gashi.
Kryetari i Obiliqit tregon se është marrë vendimi që qytetarëve t’u falet tatimi në pronë në vlerë prej 100 eurove. Ndërsa, lidhur me ndarjen e buxhetit 2024 për këtë komunë, Gashi potencoi se ka ngritje buxhetore, por kërkon nga niveli qendror mbështetje të mëtutjeshme, për t’u implementuar projektet.
“Komuna jonë dje ka pasur seancën e radhës, me një zë të votave është aprovuar. Nëse nuk gaboj 20 apo 21 sa ishin të gjithë delegatët në sallë, dhe normal që ne e respektojmë vendimin e Kuvendit. Do të falet borxhi për 100 euro për qytetarët e komunës sonë… Obiliqi ka ngritje buxhetore në këtë aspekt, sepse ka edhe një pjesë përbërëse në buxhet të ligjit për Obiliqin që është një shtytje e madhe për zhvillimin e Obiliqit.
Por duke pasur parasysh që Obiliqi ka shumë zhvillime të reja dhe projekte madhore siç është ngrohja qendrore. Kemi kërkuar edhe nga institucionet e nivelit qendror nga qeveria të na mbështesë më në shumë shtesë me qëllim që të implementohet sa më shpejt ky projekt, pasi ka impakt në shëndetin e njerëzve”, tha Gashi.
Ndër projektet e shumta që do të realizohen gjatë vitit të ardhshëm, kryetari Gashi si më madhorin e konsideron atë për ngrohjen qendrore, për çka tha se planifikohet që në vitin 2024 të përmbyllet faza e parë, e cila pritet t’i kushtojë komunës 13 milionë euro, por që pritet të ketë lëvizje të kësaj shume për shkak të rritjes së çmimeve në bursë.
Komuna e Obiliqit është përfituese në projektin e Bashkimit Evropian për asistencë teknike në vlerë prej 2 milionë eurosh, i cili filloi në tetor 2021 për të mbështetur përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Ngrohjen Qendrore, bazuar në energjinë e rinovueshme në tetë komuna të Kosovës: Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Drenas, Obiliq, Mitrovicë dhe Zveçan, duke përfshirë analizat e përfitimit të kostos dhe një raport të vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social./KP/