Gazetari i Euronews Albania, Kosovë Gjoci përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë ditës së djeshme është penguar nga dy pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti.
“Njani më shtyu dhe mi hodhi në tokë të gjitha pajisjet pa kurrfarë nevoje e arsye e tjetri në vend që ndoshta me kërkua falje, më kërcënoi ashiqare tu më thanë “këqyrem mirë në sy e mbajëm në mend””, ka shkruar Gjoci.
Ai bëri të ditur se e gjithë kjo ndodhi gjatë kohës kur gazetarët ishin duke pritur të merrnin një deklaratë nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak i cili ishte në takim me kryeministrin Albin Kurti.
“Ajo çfarë më bëri përshtypje, përveç sjelljes idioteske te këtyre dy pjesëtareve të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit, ishte fakti që edhe pse shumicën e kësaj situate z. Kurti e pa edhe e dëgjoi, thjesht e injoroi edhe ne atë moment edhe pasi doli me fol para neve”, shkruan Gjoci.