Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tregoi se pjesëtari i FSK-së, Kushtrim Kokolla, i akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e Liridona Ademajt, është pezulluar nga detyra.
“Si rasti i fundit kur gjykata faktikisht kur prokuroria e adreson këtë çështje dhe merret me individin, detyrë e jona është normalisht sipas rregulloreve që të pezullojmë, pra ta suspendojmë nga detyra për t’i dhënë mundësinë organeve të tjera të bëjnë hetimet e nevojshme, por edhe gjykatës që të kryejë punën e saj. Mirëpo, megjithatë ne vazhdojmë, kemi edhe ekipin e hetimeve brenda Policisë Ushtarake, ekip i cili realizon hetime, në rast se lidhet diçka me FSK-në edhe me kohën kur ka shërbyer aty që ndërlidhet edhe me krimin e supozuar jashtë”, tha Maqedonci, për ATV
Ai thotë se në momentin që ai shpallet fajtor, atëherë automatikisht largohet nga FSK.
“Ne në vazhdimësi ndjekim procesin gjyqësor, normalisht jo vetëm për të mbështetur aspektin e prokurorisë, por gjithashtu edhe për të shikuar edhe aspektin e ligjshmërisë të akuzës, pra në njëfarë forme, ne shikojmë edhe aspektin e mbrojtjes së drejtave të ushtarëve kur ballafaqohen me këto raste, por në momentin shpallet fajtor, atëherë largohet automatikisht nga FSK”, tregoi Maqedonci.
Këtë rast, ai e vlerëson si rast të izoluar dhe nuk e përjashton se mund të ketë individë që mund të kryejnë akte të këqija jashtë institucionit.
“Vlerësojmë se janë raste të izoluara. Një gjë duhet ta kemi parasysh se ushtria del prej popullit, pra qytetarët e këtij vendi e bëjnë ushtrinë. Çka është dallimi, është që normalisht ne jemi konsideruar ndër vite si institucioni më kredibilitetin më të lartë. Ne e kemi një kulturë të veçantë brenda FSK-së siç e kemi edhe brenda Ministrisë së Mbrojtjes që vjen si rezultat i formësimit ushtarak, formësimit, rregullit, disiplinës e të gjitha të tjerave. Megjithatë, ne nuk e përjashtojmë kurrë mundësinë që nga radhët tona të ketë edhe individë të cilët mund të kryejnë akte të këqija në raport jashtë institucionit, mirëpo megjithatë ne kemi marrë masa qysh në fillim. Ne bëjmë vetingun. Bëjmë një kontroll të së kaluarës të secilit pjesëtar qytetar që i bashkëngjitet FSK-së. Ne në vazhdimësi bëjmë edhe kontroll. E kemi hierarkinë ushtarake e cila është e obligueshme që të mbikëqyrë çdo lëvizje, qoftë edhe e dyshimtë. Mirëpo normalisht ne nuk mund kontrollojnë çdo gjë 24 orë për secilin individ. Me të vërtetë, këto raste janë të izoluara”, deklaroi ministri Maqedonci