Kryeshefi i pezulluar i KEK, Nagip Krasniqi, nuk do të lejohet t’i afrohet Korporatës Energjetike të Kosovës apo dëshmitarëve të rastit, deri në një vendim tjetër të gjykatës. Ankesa e bërë nga avokati i tij në Gjykatën e Apelit kundër vendimit për vazhdimin e kësaj mase, është refuzuar. Avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, thotë se Prokuroria nuk ka prova për të dëshmuar se Krasniqi ka kryer vepër penale.
Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatit të Nagip Krasniqit kundër vendimit për vazhdimin e masës që i ndalon t’u afrohet dëshmitarëve të rastit. Rrjedhimisht, Krasniqi nuk guxon të afrohet te Korporata Energjetike e Kosovës.
Lajmin për media e ka konfirmuar vetë avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga. Sipas tij, Apeli nuk i ka shqyrtuar pretendimet ankimore fare.
“Apeli e ka refuzuar ankesën kundër vendimit për masën e ndalimit te afrimit te vendit te punës. Gjykata e apelit nuk i ka shqyrtuar asnjë pretendim ankimor, por vetëm e ka kopjuar dhe vendosur arsyetimin e prokurorisë. Gjykatat ne Kosovë, me automatizëm aprovojnë kërkesat e prokurorisë për masa, që nuk ndodhë në asnjë vend tjetër te rajonit. Kjo qasje është kritikuar edhe nga raporti i monitorimit OSBE i Tetorit 2023”, ka thënë ai.
Për Ibrahimagën, është e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë që Krasniqit t’i ndalohet afrimi drejt KEK, meqë thotë se të gjithë dëshmitarët janë intervistuar tashmë.
Sipas tij, Prokuroria s’ka prova për të dëshmuar pretendimet e saj se Krasniqi ka kryer vepër penale.
“Prokuroria pretendon se Nagip Krasniqi mund të ndikoj në dëshmitarë, por të gjithë dëshmitarët kanë dhënë dëshminë e tyre para prokurorisë. Bazuar ne provat e mbledhura deri tani Prokuroria, nuk ka prova për të dëshmuar pretendimet e saj për vepër penale. Në kushte normale, masa e ndalimit të afrimit dëshmitarëve ka të bëjë me dëshmitaret të cilët prokuroria sipas listës nuk i ka intervistuar. Të gjithë këta dëshmitare janë intervistuar. Kërkesa e prokurorisë nuk e liston asnje dëshmitar të ri ose dëshmitar qe prokuroria nuk e ka intervistuar. Prokuroria ka pasur kohë 9 muaj të intervistoj dëshmitarët. Tani pa listuar asnjë dëshmitar ajo kërkon vazhdimin e masës se ndalimit të afrimit në punë. Kjo qasje nuk mbulohet nga Ligji për Procedurën Penale. Përmes kësaj qasje Prokuroria, në vend të hetimit të drejtë e paragjykon epilogun e hetimeve dhe e privon z. N Nagip Krasniqi nga ushtrimi i detyrave te punës. Ligji i mbron të dyshuarit përmes parimit të prezumimit te pafajësisë”, ka deklaruar ai.
Tutje, avokati thotë se Prokuroria nuk e ka guximin profesional “që ta mbyllë rastin”.
“Në mungesë te transparencës, qëllimet e prokurorisë në ketë rast mbesin te diskutueshme. Prokuroria nuk mund të interferoj në çështje menaxheriale të ndërmarrjes publike. Prokuroria e ka për detyrë ndjekjen e veprave penale dhe lidhur me këtë duhet të ofroj prova për elementet e veprës penale. Prokuroria, ne ketë rast nuk ka prova për elementet e veprës penale, por si duket nuk e ka guximin profesional që ta mbyll rastin kur nuk ka prova. Kjo qasje është e padobishme dhe dëmshme për drejtësinë”, ka thënë Ibrahimaga.
Cili tender e çoi në burg Krasniqin?
Nga dita e arrestimit, nëpër media kanë qarkulluar shumë raportime lidhur me kontratat që mund ta kenë çuar në burg Nagip Krasniqin, i cili pas arrestimit u pezullua nga pozita e kryeshefit të KEK
Fillimisht u raportua se kontrata për të cilën u arrestua Krasniqi ishte ajo për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A-5 të Termocentralit Kosova A, që kishte vlerë 3.4 milionë euro. Kontrata për këtë tender që ishte dhënë me procedurë të negociuar, ishte nënshkruar më 27 janar të këtij viti.
Riparimi i kësaj kalldaje i ishte besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Litëin SA; Bujar B. Shala B.I”.
“Punët e demontimit, Pastrimin dhe krijimin e kushteve për punë, Shqyrtimet në sistemin gypor dhe paimeve të demtuara dhe atyre që janë nën dyshimin e dëmtimit, Liferimin e paimeve të specifikuara, montimin e paimeve të reja, Sanimi i paimeve të dëmtuara, Ekzaminimin sipas standardeve për saldet në pjesen nën presion me 10%- me radiografi, Komisionimin e ftoftë dhe të nxehtë, që nënkupton; kthimin në punë dhe ekzekutimin e testit funksional të bllokut ; kontrrollat e sigurisë dhe dorëzimin e raportit për punët e kryera”, ishin punët që do të kryente ky grup i operatorëve ekonomikë.
Por, Korporata Energjetike e Kosovës kishte reaguar për këto raportime, duke i quajtur të pavërteta.
KEK kishte thënë se kjo kontratë është ndërprerë më 20 mars dhe se s’është realizuar asnjë pagesë në favor të operatorit.
“Kontrata për “Riparimin emergjent të kaldajës në Bllokun A5”, është nënshkruar ne fund të muajit janar të këtij viti, por që e njëjta është ndërprere më dt. 20.03. 2023 pasi që operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar (dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve). Prandaj është më rendësi të theksohet se KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagese nuk është realizuar në favor të operatorit”, thuhejj në reagimin e KEK.
Edhe pse KEK e kishte mohuar, kishte qenë avokati i Krasniqit ai i cili e kishte konfirmuar se klienti i tij po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pikërisht për këtë kontratë.
“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, kishte shkruar Ibrahimaga në Facebook.