Në fshatin Zherovnicë të Komunës së Zveçanit, gjatë ditës së sotme është realizuar aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës lidhur me kontrabandën me mallra. Një person është ndaluar për t’u marrë në pyetje ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes Zëvendëskomandantit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Rreth orës 13:30 na njoftuan se në Zherovnicë afër ish-kazermës është parë një kamion”. Ka pasur dyshime se ky kamion ka ardhur në Kosovë përmes rrugëve ilegale”, u shpreh ai, i cili saktëson se në terren përveç pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë dalë edhe doganierët dhe zyrtarët e krimit ekonomik. Ndër të tjera janë konfiskuar pije të gazuara, disa pako me çokollata dhe mallëra tjera të tregtueshme.