Policia e Kosovës thotë se ka angazhuar personel shtesë në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ta menaxhuar fluksin e krijuar ndërsa serbët e Kosovës po kalojnë andej për të votuar në Serbi.
Serbët e Kosovës kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar për të votuar në Serbi. Ndërsa Komuna e Gjilanit ka organizuar transport për qytetarët e Luginës që punojnë në këtë qytet, që të shkojnë në vendlindje për të votuar.
“Zgjedhjet që po mbahen sot në Serbi, kanë bërë që disa qytetarë të Republikës së Kosovës të udhëtojnë drejt Serbisë, andaj me qëllim që të sigurohet një qarkullim i lirë i qytetarëve të cilët udhëtojnë për në Serbi, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e duhura në mënyrë që liria e lëvizjes të jetë e garantuar. Po ashtu policia edhe në pikat e kalimit kufitar ka ndërmarrë hapa konkret përfshirë edhe shtimin e personelit policorë për të përballuar më shumë kalime kufitare se ditëve të tjera. Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbin, ku për të shmangur këto pritje Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia thotë se “sipas planifikimeve operacionale, do të kujdeset për ruajtjen e rendit kushtetues, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve të cilët në mënyrë të organizuar apo çfarëdo forme tjetër do të lëvizin brenda Republikës së Kosovës për në drejtim të Serbisë dhe anasjelltas”