Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka mirëpritur vendimin e Gjykatës kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve kushtetuese për Vetingun në drejtësi,
Ajo tha se ka shumë punë përpara, teksa tha se do të bëjnë reforma të thella në drejtësi.
“Sot, pranuam Njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve kushtetuese për Vetingun në drejtësi. Gjykata Kushtetuese i dha dritë të gjelbër Vetingut për nivelet e larta të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes një mekanizmi të jashtëm. Ndonëse për më shumë se 9 muaj vonesë, Gjykata konfirmoi çfarë është përcaktuar për këtë proces jetik për shtetin e së drejtës. Ka shumë punë përpara. Ne jemi të përcaktuar që me vullnet dhe përkushtim të tejkalojmë secilën pengesë që do të na dalë. Në përputhje me zotimet tona, me vullnetin e shprehur qytetar do të bëjmë reformën e thellë në atë çka qytetarët e kërkojnë më së shumti: Drejtësi”, ka shkruar ajo.