Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër për seancë të jashtëzakonshme, me fillim nga ora 10:00.
Në rend dite është vetëm një pikë: Shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët,
Ndryshe, shumë qytetarë janë ankuar lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor. Sipas tyre, faturat për muajin dhjetor kanë qenë shumë më të larta, edhe pse thonë se kanë shpenzuar njejtë sikurse muajin paraprak. Te KESCO kanë shkuar mbi 1 mijë e 700 ankesa për këtë çështje.
Se faturat kanë qenë më të larta në dhjetor, e kanë pranuar edhe nga KESCO.
Nga KESCO kanë thënë se rritja e vlerës se faturave është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje.
Në reagim ishte theksuar se konsumi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë.
“ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh. Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh”, thuhej tutje në njoftim