Në tension të lartë për rrymën – opozita kërkoi rezolutë, pushteti përgjigjet duke dhënë lajmin për subvencione

by Nexhat

Kuvendi është mbledhur sot për të shqyrtuar një rezolutë të opozitës, përmes së cilës po kërkohet anulimi i vendimit për shtrenjtimin e rrymës dhe heqja e bllok tarifës. Në orën që ishte paraparë të fillonte seanca, Ministri i Financave, Hekuran Murati, u lajmërua në Facebook, duke dhënë lajmin se ministria do të japë subvencione për kategoritë e cënueshme. Rezoluta e PDK’së u cilësua si “koti” nga Ministrja Artane Rizvanolli. Ajo tha se Kosova ka çmimin më të lirë të rrymës në Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave. Akuzoi opozitën se po tenton t’i mashtrojë qytetarët. Përplasje pati mes Mimoza Kusarit dhe Hykmete Bajramit.

Ankesat e qytetarëve për faturat e larta të rrymës për muajin dhjetor i kanë bërë bashkë sot deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar një rezolutë për këtë punë. Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 10:00, por deputetët nuk u mblodhën deri gati pas një ore.

banner

Pikërisht në kohën kur ishte paralajmëruar të fillonte seanca, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zgjodhi ta jepte një lajm që lidhet me temën që do të diskutonte Kuvendi, sikur për ta larguar vëmendjen.

Ai njoftoi se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cënueshme.

“40,620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike. Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në 6 këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit.”, shkroi Murati në Facebook. Ai sqaroi se subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cënueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Kuvendi nisi punimet me prezantimin e Rezolutës së PDK’së nga deputeti Ferat Shala. Përmes kësaj rezolute, u kërkua që të anulohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe heqja e bllok tarifës.

Pas tij, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, bëri një krahasim të çmimit të rrymës që e blen KESCO dhe çmimit që u faturohet pastaj konsumatorëve. Ai e quajti këtë plaçkitje.

“Nëse e shohim çmimin për megavat, se sa e merr KESCO në KEK është vetëm 2 euro e 90 centë, pra kushton kilovati. Ndërsa, neve qytetarëve me tarifën e ulët na e faturon 3.34 centë, me tarifën e ulët pjesën e natës, ndërsa me tarifën e lartë nën 800 kWh është 7.79 centë. Pra, më shumë se 100 përqind.  Nëse shkojmë mbi 800kWh, tarifa e ulët është 6.81 centë, ndërsa tarifa e lartë mbi 800 kWh shkon 14.45 centë. Pra, prej 2 e 90 sa e merr në KEK, neve me tarifën e lartë mbi 800 kWh na e faturon 14 euro e gjysmë, pra gati 500 përqind”, deklaroi Tahiri.

Një krahasim e bëri edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi. Ai tha se Qeveria Kurti ia shet 3 centë kilovatin KEDS-it, ndërsa sipas tij, KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit.

“Qeveria e Kosovës aksionar si aksionar, ia shet me 3 centë kilovatin KEDS-it, e KEDS-i atë kilovat ia shet 14 centë qytetarit të Kosovës”, është shprehur deputeti Gashi.

Gashi kujtoi edhe vitin 2015 kur Vetëvendosje protestonte për ta kundërshtuar çmimin e lartë të energjisë.

“Sot me Kurtin në pushtet rryma është dyfish më e lartë se atëherë” tha Gashi.

Pas këtyre deklaratave, Ministrja Artane Rizvanolli, doli në foltore dhe tha se Kosova ka çmimin më të ulët të energjisë në rajon dhe Evropë, pavarësisht rritjes së tarifave.

Rizvanolli e cilësoi rezolutën e propozuar nga PDK’ja si “rezolutë koti”, derisa tha se opozita po tenton t’i mashtrojë qytetarët, meqë çmimi i rrymës nuk ulet me të tilla metoda.

Duke folur për propozimin e PDK’së për heqjen e bllok tarifës, Rizvanolli tha se me heqjen e bllok tarifës do të uleshin faturat për 4 mijë e 700 shtëpi, por se do të rriteshin faturat për shumicën e qytetarëve.

Ajo tha se kjo është vërtetuar në vitin 2017, gjatë qeverisjes LDK-PDK.

“Në vitin 2017 kur LDK dhe PDK me insistim dhe ndërhyrje politike, kanë ndërhyrë në ZRRE për ta hequr bllok tarifën, 80 përqind e familjeve kanë pasur rritje të konsumit të energjisë, ndërsa 20 pëqindëshi që kanë shpenzuar më shumë, vetëm ata kanë pasur ulje. Kjo është çfarë do të ndodhte, këto janë shifrat Pikërisht është kjo heqje e bllokut që na ka sjellë deri te eskplodimi i kërkesës për energji në masa jonormale, pa nxitje të eficiencës”, tha Rizvanolli.

Kritika ndaj ekzekutivit kishte edhe deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai tha Qeveria Kurti për katër vjet mandat e rriti dy herë çmimin e energjisë për qytetarët dhe se riktheu gjendjen e para 20 vjeteve me reduktime.

“Është për të ardhur keq që edhe pse jemi në vitin 2024, që Kosova e ka krejt nëntokën e ka plot me qymyr, të flasim për reduktime, për cmime të larta të energjisë dhe probleme tjera që lidhen me energjinë. Kemi një qeveri që ka lanë anash sektorin e energjisë, nuk ka asnjë strategji dhe as veprime për ringjalljen e sektorit…Një Qeveri që u pagoi serbëve 115 milionë euro rrymë në kurriz të qytetarëve shtetas të Kosovës. Një qeveri që dy herë bëri rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët. Një qeveri e cila nga katër vite në pushtet, riktheu gjendjen e para 20 vjetëve me reduktime me muaj të tërë”, tha Lekaj.

Deklaratat e Rizvanollit nxitën edhe reagimin e Kreut të PDK’së, Memli Krasniqit. Ai deklaroi se Qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.

“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara”, tha Krasniqi.

“Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, shtoi ai.

Nga PDK’ja reagoi edhe deputeti Rashit Qalaj, i cili tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike erdhi si shkak i keqmenaxhimit të KEK-ut nga Nagip Krasniqi, kryeshefi i arrestuar i lidhur me LVV-në.

Qalaj tha në seancën e Kuvendit se Krasniqi qëllimisht zgjodhi “dështimin” për të blerë rrymë, siç tha ai “nga miqtë e bashkëpartiakut të tij, Martin Berishaj”.

“Rritja e çmimit ndodhi për shkak të keqmenaxhimit me asetet e KEK-ut nga partiaku juaj, z. Krasniqi, i cili kishte mënjanuar sugjerimet e ekspertëve profesionalë të KEK-ut për t’i riparuar blloqet me kohë dhe në mënyrë profesionale”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti tha se çmimi i energjisë është shtrenjtuar për 115 përqind, derisa drejtoi kritika për mungesën e investimeve për kapacitete të reja energjetike.

“E vërtetë është se mandati po kryhet. Nuk ka kapacitetetë reja energjetike dhe as nuk ka plan për ndërtimin e kapaciteteve të reja. E vërteta është se çmimi i energjisë është shtrenjtuar 115%. E vërteta është se janë subvencionuar hotele, markete, ambasada, aeroporti dhe plot biznese tjera joesenciale”, tha Hoti.

“Tani ju mund të thoni që për 3 vjet nuk ndërtohet një termocentral i ri, por mund të fillohet. Do të duhej të kishte filluar brenda kësaj periudhe”, tha ai.

As në seancën e sotme nuk munguan përplasjet. Këtë herë përplasje kishte mes Shefes së Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lilës dhe deputetes së LDK’së, Hykmete Bajramit.

Gjithçka nisi kur Bajrami kërkoi që të flasin deputetët e pushtetit, pasi për Kusari-Lilën tha sa s’është pjesë e LVV-së.

“Ka qenë pjesë e të gjitha qeverive në të kaluarën, ka qenë zëvendëskryeministre kur është privatizuar distribucioni dhe ka qenë anëtare e Komitetit të Privatizimit si ministre e Tregtisë atë kohë”, tha ndër tjerash Bajrami, duke iu referuar kryetares së Alternativës.

Deklaratën e Bajramit, Kusari-Lila e cilësoi shpifje.

“Është e vërtetë që qytetarët mbajnë mend, për atë e kanë sjellë Lidhjen Demokratike në 12%. Dhe në shpifjen e saj se unë kam qenë pjesë e të gjitha qeverive, po du me i thënë veç listoji në cilat qeveri kam qenë pjesë. Përveç njërës, unë kam qenë vetëm një herë në jetën time në një mandat qeverisës ministre, ti ke qenë në tri”, tha ajo, duke shtuar se partisë LDK-së ia kanë treguar vendin qytetarët.

Bajrami, në kundëreplikë, i tha Kusari-Lilës të dalë e vetme në zgjedhje “për me e pa ku e ke vendin”.

“Zonja Kusari, unë nuk shpifi. Qytetarët e dinë shumë mirë kush je ti. Për me e pa ku e ke vendin, urdhëro, del në zgjedhje e vetme, mos u kacavjerr nëpër listat e partive tjera. Për me e pa ku e ke vendin. Ashtu të matet vendi ty dhe unë e ti matemi. Vetëm kur të dalësh vetëm, kur të dalësh me Alternativën. Tregom kush e njeh një anëtar tjetër të Alternativës?”, tha ajo.

“Nuk ka parti politike të cilës nuk iu ke kavavjerrë”, tha ndër tjerash Bajrami.

Kusari-Lilën e përmendi në fjalën e tij edhe ish-deputeti i VV’së, tash deputet i pavarur, Haki Abazi.

“Edhe sot ka Mimoza Kusari fytyrë me dalë me folë për suksese dhe pret mirëkuptim për Veriun që pas tri viteve, pas shpenzimit të 120 milionë eurove dhe me një kontratë me Elektroseverin. Bëjeni publike kontratën, ta shohim cila është marrëveshja me Elektroseverin. Pastaj flasim cili është suksesi aty. Mos u fsheh si në rastin e Komisionit Hetimor për Rezervat shtetërore”, ka thënë ai.

Abazi tha se qytetarët po përballen me varfëri energjetike dhe se shteti po menaxhon me këtë varfëri.

“Qytetarët po përballen me varfëri energjetike. Këtu ka menaxhim të varfërisë energjetike. Këtu përfundon debati i aspektit politik të qasjes juj. Dua të iu kujtoj se z.Edi Rama se në vitin e parë e ka kthyer sistemin e shpërndarjes së energjisë nga CEZ tek shteti. Në vend se të vajtoni, merrni kthejeni në pronësi të shtetit monopolin natyror të shpërndarjes së energjisë elektrike. Por s’jeni të interesuar”, ka shtuar ai.

Si zakonisht, opozitarët e përmendën ‘tregtarin e rrymës” Martin Berishaj, por në fund gjithçka përfundoi pa ndonjë efekt pasi në Kuvend nuk pati kuorum për ta hedhir në votim draftrezolutën

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy